Mitrovica me tri skuadra në Ligën e Parë, asnjë në Superligë

Mitrovica me tri skuadra në Ligën e Parë, asnjë në Superligë

Sport October 01, 2024 - 19:28

Kur Trepça u bë kampione e Kosovës në futboll (2009/10), tjetra skuadër me emrin e njejtë, ajo e formuar në vitin 1989, nuk ishte në mesin e ekipeve elitare të atij edicioni. E kur këta të fundit festuan titullin në sezonin 2016/17, të parët nuk ‘mbijetuan’ duke rënë nga Superliga.

Kjo në fakt ishte edhe hera e fundit kur në garën kryesore të futbollit në vend, Mitrovica e kishte derbin e saj të qytetit, njofton Klankosova.tv.

Që atëherë e deri tani, ballafaqimi mes dy Trepçave u bë vetëm në Ligën e Parë, aty ku gjenden edhe sot.

Por në këtë rang të garave vendi i minatorëve e ka edhe një tjetër klub futbolli që e mban emrin e qytetit.

KF Mitrovica arriti të inkuadrohet sivjet në Ligën e Parë, duke e çuar në 9 numrin e ndeshjeve derbi që do të luhen buzë Ibrit gjatë këtij kampionati.

Që kur ka filluar edicioni i ri i garave, kjo skuadër e re është ndeshur nga një herë me dy ekipet tjera të qytetit, duke humbur të dyja duelet. Pos Mitrovicës, Trepça e ka mposhtur edhe Trepçën’89, me ç’rast pas shtatë xhirove, renditet më lartë se dy rivalët në tabelën e klasifikimit.

Trepça është në pozitën e tretë me 14 pikë të grumbulluara, tri më pak se lideri aktual, Drenica, kurse vetëm dy diferencë nga Vëllaznimi i vendit të dytë. Menjëherë pas tyre në pozitën e katërt gjendet Trepça’89 me 10 pikë, kurse KF Mitrovica tani për tani është e fundit me vetëm një fitore dhe të gjitha humbje. /KlanKosova.tv