Real Madridi njofton për lëndimin e Mbappes
Ylli i Real Madridit, Kylian Mbappe do të mungojë në derbin kundër Atletico Madridit pasi pësoi një lëndim në kofshë kundër Deportivo Alaves.
Mbappe shënoi golin e dytë për Los Blancos në fitoren 3-2 ndaj Alavesit të martën në mbrëmje, por kërkoi të zëvendësohej në minutën e 80-të pasi u ankua për shqetësim në këmbën e majtë.
Edhe pse trajneri i Realit, Carlo Ancelotti fillimisht e nënvlerësoi situatën, duke e cilësuar si “trokitje”, testet mjekësore të kryera nga mjekët e klubit konfirmuan se dëmtimi është më i rëndë.
Real Madridi dha një deklaratë në lidhje me dëmtimin e Mbappes, ku shkruhej: “Pas testeve të bëra sot tek lojtari ynë Kylian Mbappe nga Shërbimet Mjekësore të Real Madridit, ai është diagnostikuar me një dëmtim në bicepsin femoral të këmbës së majtë. Në pritje të evolucionit”.
Sipas “The Athletic”, Mbappe pritet të jetë jashtë fushës për të paktën tre javë, që do të thotë se ai nuk do të jetë i disponueshëm për udhëtimin e Realit në Wanda Metropolitano të dielën për t’u përballur me rivalët Atletico Madridin. Ai gjithashtu pritet të humbasë ndeshjen e javës së ardhshme në Ligën e Kampionëve kundër Lilles dhe një ndeshje në La Liga kundër Villarrealit më 6 tetor. Për më tepër, Mbappe ka të ngjarë të vazhdojë rikuperimin e tij në Valdebebas gjatë pushimit ndërkombëtar të tetorit, në të cilin rast ai nuk do të luajë asnjë rol në dy ndeshjet e ardhshme të Francës në Ligën e Kombeve kundër Izraelit dhe Belgjikës. /Zëri