Zhegrova në dhjetë top-lojtarët më të vlerësuar në Evropë

Zhegrova në dhjetë top-lojtarët më të vlerësuar në Evropë

Sport September 25, 2024 - 13:30

Edon Zhegrova nuk e ka ndërmend të ndalet.

Ylli kosovar po shkëlqen javë pas jave dhe rezultatet po shihen përmes vlerësimeve që po i merr.

Dhe kjo javë ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për 25-vjeçarin.

Të hënën ai u përfshi në ekipin ideal të javës në kampionatin francez, shkruan gazeta “Express”.

E dje futbollisti i Lilles ishte prijës i listës së dribluesve më të mirë në pesë top-ligat evropiane.

Kurse sot “Messi i Kosovës” e gjen veten në një tjetër listë të rëndësishme.

Më saktësisht, ish-futbollisti i Baselit ka hyrë në listën e 10 futbollistëve me notat më të larta në 5 ligat më të forta evropiane në sezonin 2024/25.

Faqja e specializuar për vlerën dhe formën e lojtarëve – Sofascore, e publikoi sot listën e lojtarëve më të vlerësuar të fillimit të sezonit.

Dhe Zhegrova e gjen veten në vendin e nëntë me notën mesatare prej 8.10, duke e lënë prapa Mohamed Salahun e Liverpoolit, i cili e mbyll top 10-shen.

Kështu, përfaqësuesi kosovar është duke e kaluar sezonin e tij më të mirë në karrierë.

Zhegrova këtë edicion i ka realizuar 6 gola në 8 ndeshje, prej tyre 3 në Ligën e Kampionëve dhe 3 në kampionatin francez.

Prishtinasi konsiderohet si futbollisti më i mirë shqiptar i momentit.

Gjatë verës që vjen ai pritet ta bëjë hapin e radhës në karrierë.

Pas problemeve që iu shfaqën në Kombëtare në këtë muaj, të gjithë presin dhe shpresojnë që “Messi i Kosovës” t’u bashkohet “Dardanëve” në ndeshjet e tetorit, me Lituaninë dhe Qipron në Ligën e Kombeve.

Image