Reagimi i babait të Edon Zhegrovës: Vendim i ngutshëm përjashtimi, s’ishte në diskotekë atë natë
Përjashtimi i Edon Zhegrovës, Arijanet Muriqit dhe Florent Muslijës nga grumbullimi i fundit i Kosovës ka shkaktuar zhurmë të madhe.
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) kishte njoftuar se tre futbollistët janë larguar nga grumbullimi për shkak se kishin thyer rregullat e ekipit kombëtar.
Zhegrova, Muriqi dhe Muslija ishte raportuar se kishin frekuentuar një lokal nate në Prishtinë.
Rreth kësaj çështje për herë të parë ka folur babai i Edon Zhegrovës, Lulzim Zhegrova.
Ai e ka mohuar se djali i tij ka dalë në diskotekë gjatë grumbullimit me Kombëtaren.
Sipas tij, ka qenë dezinformatë e qëllimshme për linçim ndaj futbollistit të Lilles dhe për t’ia njollosur imazhin.
Vendimin e përbashkët të FFK-së me përzgjedhësin e Kombëtares, Franco Foda, për përjashtimin e futbollistëve Lulzim Zhegrova e ka konsideruar të ngutshëm dhe të pamenduar mirë.
Më poshtë gjeni reagimin e plotë të babait të Edon Zhegrovës, Lulzim Zhegrova, për TV Dukagjinin.
Njoftim për opinionin publik:
Pas raportimit në disa portale se kinse Edoni me bashkëlojtarët e tij gjatë grumbullimit të fundit kanë dalë në diskotekë, ju njoftoj se kjo është një dezinformatë e qëllimshme për ta linçuar Edonin dhe tentim për t’ia njollosur imazhin.
Dëshiroj t’ju njoftoj se Edoni nuk ka qenë atë natë në diskotekë, unë dhe i gjithë rrethi i tij i ngushtë e dimë se sa profesional është Edoni dhe se me sa dëshirë të madhe vjen të përfaqësojë Kosovën.
Shpresojmë që herëve të tjera mos të merren vendime të ngutshme dhe të pamenduara mirë, të cilat shkaktojnë kaos dhe pasiguri në përfaqësuesen tonë.
Respekt për të gjithë sportdashësit dhe ata që përkrahin Kosovën në të gjitha aspektet.
Me respekt, Lulzim Zhegrova!