Pas humbjes nga Kosova, Qipro shkarkon selektorin

Pas humbjes nga Kosova, Qipro shkarkon selektorin

Sport September 13, 2024 - 17:08

Trajneri gjeorgjian, Temur Ketsbaia, e ka humbur punën si selektor i Përfaqësueses së Qipros, ka njoftuar të premten Federata qipriotë e futbollit.

Ky shkarkim i Ketsbaias ka ardhur pak ditë pas humbjes 4:0 në shtëpi nga Kosova në ndeshjen e dytë të Grupit C2 të Ligës së Kombeve.

Ish-futbollisti i Neëcastlet, Ëolverhamptonit dhe AEK-ut të Athinës, ishte në vitin e tretë në krye të Qipros, që aktualisht zë vendin e 127 në renditjen e FIFA-s.

Por ka rënë për 20 pozita derisa ai ishte në krye të qipriotëve.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Qipros, George Koumas, e ka përgëzuar Ketsbaian për “profesionalizmin, seriozitetin dhe dashurinë” për përfaqësuesen qipriote.

“Për fat të keq, as zotëri Ketsbaia dhe as Federata, nuk kanë arritur rezultatet e dëshiruara”, shkruan ndër të tjera në njoftimin e Federatës së Futbollit të Qipros.

Qiproja i ka humbur të gjitha tetë ndeshjet dhe ka përfunduar e fundit në kualifikimet e fundit të Kampionatit Evropian në vitin e kaluar, nga Spanja, Skocia, Norvegjia dhe Gjeorgjia.

Në 20 ndeshje në krye të Qipros, Ketsbaia pati gjashtë fitore, dy barazime dhe 13 disfata.

Futbollistët qipriotë nën drejtimin e tij kanë shënuar 19 gola, por kanë pranuar 49 të tjerë.

Ketsbaia ishte edhe selektor i Gjeorgjisë për pesë vjet, ndërsa ka punuar si trajner edhe tek AEK-u i Athinës dhe klubet qipriote APOEL dhe Anorthosis.

Anorthosisin e udhëhoqi drejt fazës grupore të Ligës së Kampionëve në edicionin 2008-09. Kjo u bë skuadra e parë që e arrin një sukses të tillë nga shteti i Qipros.