Llapi përshëndetet me Ilir Krasniqin
Llapi i ka dhënë lamtumirën Ilir Krasniqit, pasi lojtari ka kaluar te Kolos Kovalivka.
Përmes një postimin në Facebook, klubi nga Podujeva ka falënderuar lojtarin, duke i dëshiruar më të mirat.
“Klubi Futbollistik Llapi zyrtarizon marrëveshjen e arritur me klubin Kolos Kovalivka për transferimin e mbrojtësit të qendrës, Ilir Krasniqi”, thuhet fillimisht në postimin e Llapit.
“Pas disa ditësh bisedime me klubin ukrainas, marrëveshja është zyrtarizuar brenda afatit kohor të transferimeve dhe Krasniqi do vazhdoj karrierën në klubin Kolos Kovalivka”.
“Lideri i vërtetë i KF Llapi dhe tashmë edhe Kombëtares së Kosovës, i cili për më shumë se tri vite e gjysmë si bardhekaltër, ka kontribuuar me 121 paraqitje, 4 gola 4 asistime”.
“Ai po largohet nga shtëpia llapjane, si fitues i Kupës së Kosovës në dy edicione rresht (2020/21, 2021/22) dhe Superkupës së Kosovës (2020/21), kurse në edicionin e fundit kontribuuoi që skuadra të dal nënkampion i Albi Mall Superligës”.
“Është koha që ai të shijoj karrierën jashtë Kosovës, e që nuk kemi fare dyshim që edhe në klubin e ri do shkëlqej me paraqitje”.
“Të gjithë anëtarët e KF Llapi urojnë Krasniqin për transferimin e tij si dhe i dëshirojnë shumë suksese në klubin e ri, Kolos Kovalivka”, përfundon shkrimi i Llapit.