Ish-futbollisti ukrainas për Shqipërinë: S’i kuptoj kritikat, kanë një ekip të mirë
Ish-lojtari i Ukrainës, Vyacheslav Shevchuk, analizoi humbjen 1-2 ndaj Shqipërisë, duke vendosur theksin te kritikat e shumta që kjo përfaqësuese pati pas disfatës ndaj kuqezinjve.
“Sigurisht që unë prisja më shumë nga ekipi ynë kundër Shqipërisë. Nuk e mendoja humbjen, por Shqipëria është një ekip vërtet shumë i mirë. Shumë lojtarë të Shqipërisë luajnë në kampionatet më të forta në Europë, një kundërshtar i vështirë. Rezultatet flasin për ta, për Silvinjon. Fituan grupin kualifikues, dolën në vendin e parë, para Cekisë dhe Polonisë. Kanë lojtarë nga Serie A, nga La Liga. Në Europian Italia mezi fitojë kundër tyre, janë ekip i mirë, i organizuar dhe me shumë pasion. Ndonjëherë këto cilësi na mungojnë ne te Ukraina, por nuk duhet ta teprojmë me kritikat për trajnerin tonë pas kësaj humbje”, tha ai.
Shqipëria luan sonte ndaj Gjeorgjisë në “Air Albania” për herë të dytë në edicionin e ri të Ligës së Kombeve.
Edhe Gjeorgjia triumfoi në ndeshjen e parë, duke fituar bindshëm ndaj Republikës Çeke me shifrat 4-1.