Rasti Zhegrova: Futbollisti që reflekton shpresat dhe sfidat e Kosovës
Futbolli është i rëndësishëm në Kosovë. Pjesëmarrja e Kosovës në futbollin ndërkombëtar ndërlidhet me luftën e saj për liri dhe pavarësi, si dhe për pjesëmarrjen dhe integrimin, barabarësinë, në familjen e madhe botërore. Kosova ka një ekip të ri dhe është në fazë ku po e formëson identitetin, stilin, kulturën menaxheriale dhe disiplinën. Me siguri se është një projekt afatgjatë në bërje…
Rasti Zhegrova ka qenë shumë i diskutuar ditët e fundit, ku përpos komunitetit të sportit, edhe politika dhe mediat janë përfshirë. Kjo gjithashtu për shkak të madhështisë së Edonit dhe performancës së tij të mirë kohën e fundit dhe nevojës së Kosovë, pritjeve të publikut, të kualifikohet dhe avancoj në gara evropiane dhe ndërkombëtare.
Nga performanca e Zhegrovës me Rumaninë, ku Kosova humbi 0:3, Edoni nuk ka pasur një paraqitje pozitive. Loja e tij është karakterizuar me veprime vetanake. Ai më shumë ka qenë i koncentuar me i tregu shkathtësitë e vet të dribilimit sesa të i ndihmoj ekipit. Nuk ka luajtur një lojë ekipore. Loja e tij ka qenë sikur një show room “shif çka di unë”...
Kështu që nga aspekti i performancës, madhështia dhe rezultatet e tija nuk kanë qenë të ngjashme me ato të klubit të tij në Francë. Zhegrova ta kujton rastin e shumë lojtarëve të talentuar, por me një mentalitet jo biznesor dhe ekipor. Ta kujton llojin e lojtarëve si portugezi Luis Nani që ka tepër talent, por asnjëherë nuk e arrin kulmin e potencialit të tij sikur rasti i Ronaldos. Këtu pa dyshim që theksi vendoset te disiplina, në dhe jashtë fushës.
E kur Kosova humbi pa përpjekje nga Rumania, thuhet që ekipit iu ndalua të dalë jashtë. Kjo pa dyshim ishte një dënim për performancën dhe sidomos gabimet që mund të shmangeshin, duke përfshirë edhe lojën vetanake si rasti i Zhegrovës. Këtë rregull nuk e kanë respektuar disa lojtarë, mes tyre edhe Edon Zhegrova. Ai dhe dy lojtarë tjerë u përjashtuan nga grumbullimi, si masë disiplinore.
Kjo masë nga menaxheri gjerman është masë që personalisht besoj i bënë mirë ekipit. Kur nuk ka disiplinë dhe kur kultura e klubeve i merr lojtarët, aty ka rrezik. Fundja, kjo masë është e përkohshme, dhe këta lojtarë mund të vazhdojnë të luajnë përsëri...
Kështu që, nuk ka dyshim që menaxheri gjerman duhet të përkrahet në veprimet e tija. Nëse menaxhmenti i FFK është i përzier apo jo, kjo është një çështje tjetër. Trajneri i Kombëtares duhet të ketë pavarësi të plotë në vendimet e tij rreth selektimit, disiplinës dhe strategjisë së ekipit tonë – nuk duhet të përzihet federata në këto aspekte profesionale. Por gjithashtu pakënaqësitë e shumta në publik, dhe jo vetëm, me kreun e FFK nuk duhet ndërlidhen me rastin Zhegrova dhe disiplinën e ekipit.
Edhe kur njëra parti politike reagoi në mbrojtje të lojtarit, kundër menaxherit ishte një gabim i madh. Politika nuk duhet të përzihet ashtu në futboll në asnjë mënyrë të mundshme. Mbi të gjitha, politika ishte në mbrojtje të një lojtari vetëm, jo të gjithë të tre që ishin ‘suspenduar’ përkohësisht. Kjo tregon një qasje preferenciale dhe jo një avokim për interesin publik.
…
Në përgjithësi, kjo situatë, Rasti Zhegrova, nuk u menxhua si duhet. Pati shumë emocione dhe mosdurim. Reagime dhe sulme, sikurse që aty i gjithë problemi është. Ka disa grupe që mendojnë që me një veprim të vetëm, si kjo, mund të zgjidhen sfidat tona. Ata nuk e shohin këtë si proces, apo si një rrugëtim ku ne kemi shumë gjëra për të bërë për të përmirësuar performancën tonë.
Mbi të gjitha, Kosova ka nevojë për investime serioze në infrastrukturë të futbolli. Në shkolla të reja të futbollit të lidhura me klubet më të mëdha evropiane. Me telashe me kulturën dhe stilin mafioz të disa menaxherëve dhe rrahjet dhe kërcënimet nëpër fusha të futbollit…
Lista e punëve dhe sfidave është e gjatë, asgjë nuk do të zgjidhe shpejt dhe lehtë. Kështu që, rasti i Zhegrovës, më së shumti tregon për ne. Për atë se cilat janë pritjet tona dhe si reagojmë ne. Çfarë presim ne. Si mendojmë që me një shkop magjik, me një apo dy veprime të vetme kryhet puna, rregullohen të gjitha sfidat dhe Kosova transformohet në Brazilin e Evropës:).
Me siguri që kjo nuk qëndron, nuk ka një ashensor për të arritur suksesin tonë. Duhet të i marrim shkallat dhe të kemi durim dhe të bëhemi më strategjik, të investojmë dukshëm më shumë resurse, përpjekje dhe kohë për të arritur sukseset që pa dyshim do të jenë aty me kohë. Por jo nesër, as pasnesër. E as me një apo dy veprime të shpejta. Zhegrova do të luaj përsëri dhe ai do të mësojë dhe tregojë performancë më të matur dhe punë më ekipore herat e ardhshme.