“Jua thej kamtë”, Agim Ademi akuzohet publikisht se i kërcënoi Zhegrovën, Muriqin dhe Muslijën
Skandalet në lidhje me menaxhimin e Kombëtares së Kosovës në futboll nuk kanë të ndalur. Pas përjashtimit nga grumbullimi të yjeve si Edon Zhegrova, Aro Muriq dhe Florent Muslija, tash dy personalitete publikisht e kanë denoncuar Agim Ademin, kryetar i FFK-së.
Gazetari i njohur Arlind Sadiku dhe analisti Ramiz Shala e kanë akuzuar Ademin për kërcënim ndaj tre futbollistëve të përjashtuar nga FFK-ja. Çka po ndodh?
Dje gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë në emisionin “Dueli Sportiv”, Shala bëri një denoncim publik, duke thënë se Ademi ka kërcënuar tre futbollistët e përjashtuar. Sipas Shalës, Agimi ka kërcënuar Zhegrovën, Muriqin dhe Muslijën: “jua shkatërroj karrierën”, “jua thyej këmbët”.
“Para vendimit, Agimi i ka thirr të tre djemtë dhe po citoj me fjalë ‘kam me iu shkatërru karrierën, jua prishi fytyrën, këmbët bre ja jua thej… Nuk ka marrë vendim Foda, përveç Agim Ademit. Nuk duhet ta mashtrojmë opinionin, sepse ata djem janë lojtarë të Kosovës. Na i njohim, edhe nëse kanë gabuar që nuk e besoj, edhe nëse dalin prej Agim Ademit e teposhtë edhe në kanagjegje janë shku”, tha mbrëmë Shala, ndër të tjera.
Të njëjtën gjë sot e ritheksoi Sadiku, drejtor i sportit në “Artmotion” dhe njëri nga gazetarët më të ndjekur të Kosovës. Këtë kërcënim Sadiku e ka quajtur skandaloz.
“Skandaloze. Njëri nga futbollistët e përjashtuar, në kushte anonimiteti, pranoi se Agim Ademi i ka kërcënuar duke u thënë “jua thej kamtë, jua prishi karrierën”, shkroi Sadiku në profilin e tij në Facebook.
Duke komentuar denoncimin publik të Sadikut, gazetari Berat Buzhala ka kërkuar përfshirjen e prokurorisë në lidhje me dyshimet për kërcënime ndaj Ademit.
“Prokuroria duhet me i thirre tre lojtaret e denuar, e me i pyet. Agim Ademi eshte recidivist ne kete drejtim. Agim Ademi eshte bullizues. Nese ai i ka kercenu lojtaret keshtu, atehere cka duhet me prite tjeter? Me jau thy nime kambet?”, shkroi Buzhala.
Ndryshe, mbrëmë Shala tha se nuk ka dëgjuar të përjashtohet një sportist, “përpos në Serbi”.
“Unë i kam faktet e mia, nuk flas qysh ka qejf dikush. A i ke dëgjuar tu thanë për rregullore, cilën rregullore? Kush e ka hartuar? Cili nën thotë se duhet të përjashtohet kur të del dikush…Kemi të bëjmë me një njeri që ka probleme psikike. Nëse ti pa kanë i çmendur, nuk i thu lojtarit kryesor, largohu se ta prishi fytyrën, karrierën dhe t’i thej këmbët…Nuk kam dëgju që një kryetar federate me e përjashtu një sportist, përpos në Serbi, nuk kam dëgjuar asnjë tjetër. Federata ka Komision Disiplinor, i cili është përgjegjës për secilin anëtar të Federatës”, ka thënë Shala.