Foda reagon pas fitores së thellë të Kosovës në udhëtim ndaj Qipros
Kosova ka arritur të shënojë fitore të thellë me rezultat 4-0 në udhëtim ndaj Qipros në kuadër të edicionit të ri të Ligës së Kombeve.
‘Dardanët’ e mbyllën pjesën e parë me një avantazh prej dy golave të cilët u shënuan nga Vedat Muriqi.
Ata nuk u ndalën më kaq dhe në të dytën realizuan edhe dy herë të tjera, fillimisht me anë të Albion Rrahmanit dhe pastaj me Lumbardh Dellovën.
Pas ndeshjes, përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, tha se kjo fitore ishte e rëndësishme për të gjithë, duke filluar nga lojtarët e deri tek presidenti i Federatës, stafi teknik dhe tifozët.
“Fitore shumë e rëndësishme. Jo vetëm për ekipin, por edhe për presidentin, stafin e trajnerëve. Rezultat shumë i mirë pas rezultatit të keq me Rumaninë”.
“Kemi luajtur mirë në thellësi, me kurajë përpara, jemi mbrojtur shumë mirë. Kemi shfrytëzuar rastet tona. Në përgjithësi një rezultat dhe një ndeshje shumë e mirë”, është shprehur Foda në konferencën për shtyp.