Daja reagon për herë të parë pas largimit nga Ballkani
Ilir Daja ka ndarë rrugët me Ballkanin një javë më parë, pas humbjes me Malishevën.
Deri më tani, strategu shqiptar nuk ka fol e as nuk ka diskutuar rreth kësaj çështje.
Mirëpo sot ai përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka shkruar rreth aventurës së tij ku ka shkruar histori me klubin nga Suhareka.
“I keqardhur kam pranuar faktin, se është momenti, që rrugët tona pas 973 ditësh te vrullshme, te jashtëzakonshme, emocionuese dhe mbi te gjitha me rezultate historike, te ndahen!”, ka shkruar fillimisht Daja.
Më tej ai ka falënderuar të gjithë tifozët, stafin, presidentin e Ballkanit, Arsim Kabashin, tifozët “Xhebrailat” dhe të gjithë opinion në futbollin kosovar.
“Në këtë moment do të doja të përqafoja dhe falënderoja secilin nga ju që e bëri aventurën time në Suharekë më të mirën në aspektin njerëzor dhe profesional, duke filluar nga presidenti Arsim Kabashi, familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij, secili nga anëtarët e stafit tim teknik, çdonjërin nga futbollistët, çdo tifoz, veçmas ‘Xhebrailat’, çdo qytetar të Suharekës, falënderime dhe mirënjohje pa fund. Largohem nga Suhareka shumë krenar për çdo ditë të punës time aty, për çdo fitore, trofe e suke në garat evropiane. Pafundësisht mirënjohës për të gjithë, jashtëzakonisht i lumtur në qytetin dhe klubin ku erdha si mysafir dhe largohem i përmbushur dhe ndjesinë e një pjesëtari të familjes së madhe Ballkani, së cilës i uroj dhe dëshiroj suksese të reja dhe më të mëdha. Faleminderit Ballkani”, shkroi Daja.
Daja mbylli aventurën e tij të suksesshme me tre tituj kampion, një herë fitues i Kupës së Kosovës dhe Superkupës së Kosovës, si dhe kualifikoi suharekasit dy herë radhë në grupet e Conference League.