Ndërpritet për pak çaste stërvitja e Rumanisë në “Fadil Vokrri”, kjo është arsyeja

Ndërpritet për pak çaste stërvitja e Rumanisë në “Fadil Vokrri”, kjo është arsyeja

Sport September 05, 2024 - 21:25

Në momentin që lojtarët e Rumanisë po fillonin stërvitjen në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë, një mjet tymosës është hedhur në tribunën veriore.

Kjo ka shkaktuar shqetësim dhe futbollistët rumunë janë kthyer në dhomat e zhveshjes për arsye sigurie, sipas “golazo.ro”.

Mediumi rumun ka publikuar video dhe fotografi që tregojnë situatën gjatë stërvitjes së zhvilluar të enjten mbrëma, por që nuk ishte asgjë shqetësuese.

Në pamje shihet edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, që shkon nga afër të shikojë se çfarë është hedhur, duke u siguruar se nuk kishte nevojë të krijohej panik, sidomos nga ajo çfarë bënë lojtarët rumunë.

Pas një periudhe, stërvitja ka vazhduar përsëri, pavarësisht nga zhurmat e daulleve që dëgjoheshin nga jashtë stadiumit.

Image

Kosova dhe Rumania do të përballen të premten në edicionin e ri të Ligës së Kombeve.

Kujtojmë se ndeshja Rumani – Kosovë që u zhvillua më 12 shtator të vitit të kaluar në Bukuresht u ndërpre për 50 minuta për shkak të shpalosjes së pankartave anti-Kosovë dhe thirrjeve “Kosova është Serbi”. /Telegrafi