Muriqi thotë se “hakmarrja” e Kosovës ndaj Rumanisë do të jetë në fushë
Kombëtarja e Kosovës ka mbajtur sot konferencë për shtyp në prag të ndeshjes Kosovë – Rumani, e cila luhet në kuadër të Ligës së Kombeve.
Para mediave folën selektori, Franco Foda dhe sulmuesi, Vedat Muriqi.
Muriqi u shpreh optimist për ndeshjen e nesërme, teksa përmendi edhe “hakmarrjen” potenciale ndaj Rumanisë (pas skenave të shëmtuara shtatorin e kaluar nga tifozët rumunë).
“Jemi shumë optimist, jemi të përgatitur, e njohim kundërshtarin nga ndeshjet e kaluara. Besojmë shumë në hakmarrje, por brenda vijave të fushë. Ne nuk ia bëjmë atyre, siç na bën ata neve në Rumani. Nëse fitojmë tre pikët, do të jetë goditje më e madhe për ta”, tha ai.
Muriqi foli për Rumaninë si kundërshtar në fushë, duke treguar respekt maksimal për “Trikolorët”.
“Rumaninë e vlerësojmë shumë si kundërshtar, kanë lojtarë kyç e të rëndësishëm, por me gjithë respektin ndaj tyre, do të japim 100% t’i lëmë pa pikë”, shtoi Muriqi.