U nominua për Topin e Artë, babai i Granit Xhakës: Urime krenaria jonë, ditë e madhe për mua dhe familjen
Futbollisti me prejardhje nga Kosova, Granit Xhaka është nominuar për Topin e Artë, kështu duke shkruar histori si në trojet shqiptare ashtu edhe në Zvicër.
Pas këtij nominimi, ka reaguar babai i Granitit, Ragip Xhaka.
Ai përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, është shprehur mjaftë krenar, por njëkohësisht ka falënderuar të gjithë ata që e mbështetën djalin e tij, Granitin, përcjell Zeri.info.
Reagimi i plotë i Ragip Xhakës, pa ndërhyrje:
Sot është një ditë e veçantë dhe e mbushur me krenari të madhe për mua dhe familjen tonë. Djali im, Graniti, është nominuar për çmimin prestigjioz Ballon d’Or. Ai është i pari shqiptar dhe në të njëjtën kohë lojtari i vetëm zviceran që ka arritur këtë nivel në botën e futbollit, dhe për këtë jemi jashtëzakonisht të lumtur dhe të emocionuar.
Puna e palodhur, përkushtimi dhe sakrificat e tij kanë bërë që ëndrrat të realizohen dhe emri i shqiptarëve të shkruhet në histori. Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen dhe dashurinë që i keni dhënë Granitit ndër vite.
Urime Granit, krenaria jonë! ë