Foda synon ta nisë me këmbë të mbarë rrugëtimin me Kosovën në Ligën e Kombeve
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, është deklaruar për media para dy ndeshjeve që Dardanët do t’i zhvillojnë, ndaj Rumanisë dhe Qipros, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Fillimisht Kosova do të jetë nikoqire e Rumanisë në “Fadil Vokrri”, më datën 6 shtator, ndërsa tri ditë më vonë (9 shtator) do të luajë në udhëtim ndaj Qipros.
Në konferencën për media, Foda ka thënë se ekipi i Kosovës është në një formë jashtëzakonisht të mirë dhe se janë të motivuar për të arritur fitoren.
“Tanimë i kemi përfunduar miqësoret dhe po përgatitemi për edicionin e ri të Ligës së Kombeve. Të gjithë lojtarët janë në formë jashtëzakonisht të mirë. Për ndeshjen e parë në shtëpi jemi shumë të motivuar dhe të lumtur, prandaj do të bëjmë gjithçka që kundër Rumanisë të arrijmë fitore”, tha fillimisht Foda.
Tutje, tekniku gjerman është shprehur i lumtur për faktin se në këto dy ndeshje do të ketë më shumë opsione për të zgjedhur në krahasim me ndeshjet e kaluara.
“Është jashtëzakonisht e mirë kur ke kaq shumë lojtarë në formë dhe ke mundësi të zgjedhësh. Në ndeshjet e kaluara nuk kemi shënuar aq shumë gola, por tani kemi në dispozicion lojtarë si Muriqi, Rrahmani, Zhegrova dhe Asllani. Ata kanë shënuar me skuadrat e tyre dhe shpresojmë që të shënojnë edhe me kombëtaren”, deklaroi ai.
Për fund, 58-vjeçari tha se qëllimi i tyre kryesor është që të fitojnë ndeshjen e parë dhe të renditen si lider në grup.
“Nuk e kemi si qëllim vetëm të jemi favorit, qëllimi më i rëndësishëm për ne është që ta fitojmë ndeshjen e parë. Sigurisht se objektivi ynë është të jemi favorit, t’i fitojmë ndeshjet dhe të jemi të parët në grup”, përfundoi timonieri i Kosovës.
Kujtojmë se përveç Rumanisë dhe Qipros, në grupin ku bën pjesë Kosova gjendet edhe Lituania.