Shkëndija mban kreun, Struga e Gostivari e ndjekin nga afër
Java e katër e Maqedonisë së Veriut, solli ndeshje shumë interesante, ashtu sikurse dhe ishte paralajmëruar, se nga java në javë kampionati do të sjell shumë befasi. Shkëndija Gostivari dhe Rabotniçki janë ekipet e vetme që nuk kanë shijuar disfatën.
Befasia e javës së katërt nese mundë të themi, ndodhi në Shkup, ku skuadra shqiptare nga Ohri Voska Sport i dha edhe një goditje të rëndë Vardarit, që e mundi me rezultat 3-1. Kjo tregon se Voska edhe pse me ekip shumë të re dhe me futbollist që po kërkojnë të bëjnë emër, kanë një organik të mirë dhe po sinkronizohen nën urdhrat e trajnerit Seit Kreka. Kjo fitore e Voskës i ka kushtuar me shkarkim trajnerit të Vardarit, Goran Petreskit, i cili pësoi dy disfata të larta, javë më parë nga Shkupi (3-0) dhe dje nga Voska Sport (1-3).
Shkëndija e Tetovës mbetet lider i tabelës, pasi mori dhe fitoren e radhës, duke e mundur me shumë lehtësi Pelisterin e Manastirit. Kjo fitore po dëshmon se Shkëndija me Jeton Beqirin ngadalë po arrijnë të stabilizohen dhe se do të jenë ekipi kryesor për të ulur nga froni Strugën që dy vite me radhë shpallet kampion.
Pikërisht Struga pas disfatës së javës së kaluar, është kthyer te fitorja, duke mundur AP Breran, skuadrë kjo që kishte një fillim të mirë, por humbi hapin dhe në tri ndeshjet e fundit ka tri humbje. Struga tani ka vetëm një pikë më pak se Shkëndija dhe është e dyta në renditje.
Befasia e kampionatit që në heshtje po mbledh pikë është Gostivari, skuadër kjo që gjithashtu nuk ka shijuar disfatën, ndërsa tani është ngjitur në pozitën e tretë me tetë pikë të grumbulluara. Gostivari nxori barazim ndaj Tikveshit si mysafire, por me lojën e treguar shumë lehtë mundej edhe të fitonte edhe këtë ndeshje.
Shkupi vazhdon të luaj “ftohtë-nxehtë”. Fitorja e javës së kaluar në derbin e qytetit ndaj Vardarit dha një sinjal se Shkupi mundë të kthehet, por kjo nuk ndodhi në Kratovë ku u mund nga Sileksi. Shkupi tentoi të rikthehej edhe pse ishte me një futbollist në fushë, por momenti vendimtar ishte huqja e penalltisë nga Ibishi dhe më pas kartoni i kuq nga Ansah.
Besa e Dobërdollit ka marrë pikë ndaj një super skuadre siç është Rabotniçki, skuadër kjo që pas Shkëndijës dhe Gostivarit është gjithashtu pa disfatë. Ekipi i Besës si duket kishte nevojë për një fitore dhe tani pritet që dal ngadalë të vjel rezultate pozitive.
Kampionati vendor tani do të ketë një pauzë dy javore, shkaku i angazhimeve të përfaqësueseve në Ligën e Kombeve të UEFA-s, do të jetë kjo një moment i mirë për ekipet që të përmirësojnë gabimet dhe të përgatiten për një rikthim sa më të suksesshëm. Pikërisht rikthimi në kampionat me 15 shtator do të na sjell një super derbi, ku Shkupi do të mirëpres Shkëndijën. Një derbi i zjarrtë vëllazëror që me ndeshjen e sezonit të kaluar na ka lënë të kuptojmë se dy tifozërit kanë shtrirë dorën e pajtimit dhe se do të duartrokitet ajo skuadër që do të jetë më e mirë në fushë.
Java e pestë luhet me 15.09.2024 ora 15:00, takohen: AP Brera – Besa, Gostivari – Vardari, Pelisteri – Struga, Rabotniçki – Tikveshi, Shkupi – Shkëndija dhe Voska – Sileksi. /telegrafi