Kosova debuton në lojërat paralimpike “Paris 2024”
Kosova ka shënuar një ndër momentet më të rëndësishme në historinë e sportit të saj.
Në mesin e mbi 50 mijë shikuesve nga mbarë bota, për herë të parë flamuri i Kosovës ka valuar në ceremoninë hapëse të lojërave paralimpike “Paris 2024”.
Ceremonia hapëse u zhvillua në “Place de la Concorde” dhe “Champs-Elysées” në Paris, me fillim nga ora 20:00, e ku defiluan gjithsej 166 shtete nga mbarë bota.
Ky moment njëherësh shënon edhe debutimin e Kosovës në lojërat më prestigjioze të para sportit botëror, synim i kahershëm i parasportit kosovar.
Në këtë ngjarje madhështore të parasportit, vendi ynë përfaqësohet nga paraatleti Grevist Bytyqi, i cili do të garojë në sportin e atletikës, në kategorinë T46, në disiplinën 1500 metra.
Në këtë rrugëtim sfidues, Grevisti është i shoqëruar nga presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, trajneri Adrian Mazreku dhe shefja e misionit, Arjeta Gashi.
Pjesëmarrja e Kosovës në këto lojëra u mundësua falë anëtarësimit të vendit tonë në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar vitin e kaluar, moment që i hapi rrugën përfshirjes së parasportistëve tanë në këtë ngjarje madhore, e cila simbolizon përfshirjen, barazinë dhe fuqinë e sportit për të kaluar çdo pengesë.
Në lojërat e sivjetme botërore të parasportit, të cilat zgjasin 11 ditë, do të marrin pjesë 4,400 paraatletë në gjithsej 22 parasporte.