Prishtina triumfon bindshëm në udhëtim te Ferizaj
Prishtina e ka shënuar fitoren e parë të edicionit.
“Bardhekaltrit” e kryeqytetit të shtunën gjatë ditës fituan 3:1 në udhëtim te Ferizaj, që e pësoi disfatën e parë të edicionit aktual.
Sunday Akinbule i shënoi dy golat e parë të mysafirëve. Nigeriani 27-vjeçar realizoi në minutën e pestë dhe të 21-të. Në të dyja golat asistues ishte Dion Gallapeni.
Planet Veseli e ktheu në lojë Ferizajn me gol të shënuar në minutën e 63-të, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për ta shmangur disfatën.
Prishtina e drejtuar nga francezi Jean-Michel Cavalli, golin e qetësisë e realizoi me zëvendësuesin Ardian Muja, në minutën e 77-të.
Prishtina barazoi pa gola në ndeshjen e parë, kurse dueli i xhiros së dytë ndaj Dritës është shtyrë.
Ferizaj ndërkohë e fitoi takimin e parë ndaj Feronikelit 74 dhe barazoi më pas me Malishevën.
Në xhiron e katërt, Ferizaj luan në udhëtim te Drita, kurse Prishtina e pret Llapin.