KB Drita njofton ndryshimet në klub, emëron edhe presidentin e ri

KB Drita njofton ndryshimet në klub, emëron edhe presidentin e ri

Sport August 14, 2024 - 15:26

KB “Drita”, në një konferencë për media, ka prezantuar ecurinë e klubit të basketbollit, duke njoftuar edhe për emërimin e presidentit të ri në këtë klub.

Gjatë kësaj konference, kryetari i klubit ka njoftuar se klubi ka funksionuar si organizatë joqeveritare, pas një angazhimi të kamotshëm, sipas tij, tani e tutje klubi do të kalojë në SHPK.

“KB ‘Drita’ basketboll ka funksionuar si organizatë joqeveritare dhe sipas tij pas një angazhimi disamujor kemi ardhur në përfundim se nga OJQ, klubi i basketbollit ‘Drita’ të kalojë në SHPK, ku deri më tani unë si kryetar i klubit kemi negociuar me disa afaristë të cilët operojnë në Prishtinë dhe krejt kjo si rrjedhojë e ndihmës së kryetari të Gjilanit, i cili na ka vënë në kontakt”, tha ai.

Përveç kësaj, kryetari njofton se si president i ri në këtë klub do të emërohet Enis Islami.

“Gjithashtu, prej sot e tutje si President i klubit do të emërohet Enis Islami, i cili ka shprehur gatishmërinë që klubin e basketbollit ta shoh nëpër nivele, të cilat ne i meritojmë”, tha ai.

Ai përfundon duke theksuar se kanë bërë një hap përpara sepse deri më tani kanë qenë të hindekepuar për shkak të mungesës së financave.

“Deri sot kemi qenë të hindekepuar për shkak të financave, mirëpo nga sot mendojmë se kemi bërë një hap përpara”, përfundoi ai.

Ndryshe, kësaj risie në klubin e basketbollit i është gëzuar edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i cili tha se tha se klubi i basketbollit “Drita” po ecën drejt sukseseve të reja.

I pari i Gjilanit tregoi se më në fund, pas një angazhimi të gjatë e aspak të lehtë, klubi i basketbollit “Drita” tashmë ka zgjidhur problemin financiar.

“Bashkërisht po synojmë majat e basketbollit vendor. Shumë shpejt, klubi i basketbollit ‘Drita’ rikthehet me basketboll cilësor e atmosferë të zjarrtë”, tha kryetari Hyseni. /Telegrafi