Majlinda Kelmendi: E përjetova sikur po luaja unë, sikur po fitoja unë

Majlinda Kelmendi: E përjetova sikur po luaja unë, sikur po fitoja unë

Sport August 07, 2024 - 20:45

Trajnerja kosovare e xhudos, Majlinda Kelmendi, ka thënë se teksa shihte xhudistët e Kosovës në skenën e Lojërave Olimpike Paris 2024, ndjehej sikur të ishte vetë aty.

Gjithashtu kampionia ka treguar se edhe kur janë fituar medaljet ajo i ka përjetuar rastet sikur t'i kishte fituar vetë.

Federata Evropiane e Xhudos e ka zhvilluar një intervistë me Majlinda Kelmendin, të cilën e ka titulluar "Një përmbledhje nga një sy i artë".

Kosova në Lojërat që ende nuk kanë përfunduar ka arritur t'i fitojë dy medalje në xhudo. Distria Krasniqi të argjendtën dhe Laura Fazliu të bronztën.

“Nuk ishte aspak e lehtë, por e shijova shumë. Në fakt, ndjeva sikur po luftoja vetë, pata shumë stres, por mendoj se e menaxhova mirë”, ka thënë Kelmendi. “Kur Laura fitoi, ndjeva të njëjtat emocione sikur të kisha fituar vetë medaljen olimpike. Laura mund të bënte më shumë, por pati shumë presion dhe prapëseprapë, është në rregull, ajo fitoi një medalje.”

Kelmendi ka theksuar se është shumë e lumtur me performancën e gjithsecilit në ekip. “Ku të filloj… Me pjesën e trishtë, Loriana përfundoi karrierën e saj. Ajo erdhi nga Zvicra në Kosovë tetë vjet më parë dhe fitoi medalje evropiane dhe botërore për ne, duke u bërë një nga atletet më të mira në historinë e Kosovës dhe mori pjesë dy herë në Lojërat Olimpike. Jam shumë e lumtur me performancën e gjithsecilit. Si Nora ashtu edhe Lori ishin të lënduara tre muaj para Lojërave, kështu që ishte e vështirë për ta të përgatiteshin mirë", ka thënë ajo. "Akili ishte thjesht i mrekullueshëm dhe është për të ardhur keq që nuk fitoi një medalje”.

Kelmendi ka shprehur mirënjohjen e saj ndaj trajnerit Driton Kuka, i cili e kishte propozuar të ishte pjesë e stafit të trajnereve. “Distria ishte shumë e sigurt, si gjithmonë, dhe me këtë rast dua të falënderoj Tonin, për besimin që më dha dhe për të më lejuar të ulem në karrige për të trajnuar sportistët. Ndihem e bekuar. Falë tij, Kosova tani ka pesë medalje olimpike dhe të gjitha janë nga xhudo. Jemi plot gëzim dhe mirënjohje”, ka thënë Kelmendi. /rtk