Caktohet gjyqtari që do ta ndajë drejtësinë në finalen e Superkupës së Evropës
Komiteti i Gjyqtarëve të UEFA-s ka vendosur se zvicerani Sandro Scharer do të ndajë drejtësinë në finalen e Superkupës së Evropës mes Real Madridit dhe Atalantas.
Kjo ndeshje do të zhvillohet të mërkurën e 14 gushtit në “National Stadium” në qytetin e Varshavës në Poloni.
36-vjeçari ka qenë një gjyqtar ndërkombëtar që nga viti 2015 dhe ka ndarë drejtësinë në 86 ndeshje të UEFA-s deri më tani, ndërsa rregullisht ka ndarë drejtësinë në kompeticionet e UEFA-s.
Ai ishte përzgjedhur si njëri prej gjyqtarëve për Euro 2024, aty ku ndau drejtësinë në dy ndeshje të fazës së grupeve.
Scharer gjithashtu referoi një ndeshje të fazës me eliminim në Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës sezonin e kaluar.
Zvicerani do të udhëheqë një ekip gjyqtarësh me eksperiencë në Superkupën e Evropës, me gjashtë pjesëtarë që tashmë kanë qenë pjesë e "Euro 2024".
Ai do të asistohet nga dy gjyqtarët tjerë zviceranë Stephane De Almeida dhe Jonas Erni, ndërsa Mykola Balakin (Ukrainë) do të shërbejë si gjyqtar i katërt.
Bastian Dankert (Gjermani) do të jetë përgjegjës për dhomën e VAR-it, ndërsa ai do të asistohet nga Fedayi San (Zvicër) dhe Christian Dingert (Gjermani). /Telegrafi