Jean Michel – Cavalli: Prishtina emër i madh edhe në Evropë, besoj se do të arrijmë ta fitojmë titullin
Trajneri i FC Prishtinës, Jean Michel – Cavalli, është shprehur optimist që këtë vit do ta fitojnë titullin kampion.
Cavalli në një intervistë për faqen zyrtare të klubit beson se këtë vit do ta arrijnë ta fitojnë titullin dhe është shprehur i gatshëm për aventurën e re.
“Prishtina është emër i madh edhe në Evropë. Para se të vija unë e kisha informata për Prishtinën, ka një president shumë të mirë dhe shtabin teknik dhe drejtori sportiv janë njerëz të mrekullueshëm. Për mua është e rëndësishme ta kuptojnë futbollin dhe kjo është çka më pëlqen. Stafi i trajnerëve vendas janë një zemër e madhe e klubit dhe kjo është shumë e rëndësishme është sikurse një familje. Tani është e rëndësishme t’i fitojmë ndeshjet sepse si lojtarët, fansat, trajneri e drejtuesit janë të lumtur kur ekipi fiton”, është shprehur trajneri francez.
Cavalli konfirmoi se janë dy lojtar që nuk kanë marrë vizë dhe nuk kanë arritur të ushtrojnë duke mos dhënë më shumë detaje se kush janë ata.
"Aktualisht jemi 70% të përgatitur, kemi dy lojtar që nuk kanë marrë vizë dhe nuk kanë arritur të ushtrojnë dhe këta dy lojtarë janë të rëndësishëm për ekipin e Prishtinës. Kam ardhur këtu me objektiv të qartë, unë dua ta fitoj titullin. Kam pasur një karrierë të suksesshme në shumë vende dhe dëshira ime është të fitoj edhe këtu”, shtoi ai.
Në fund, trajneri 67 vjeç pati edhe një mesazh për tifogrupin “Plisat”.
“Mesazhi im për ‘Plisat’ është se jam i sigurt që do ta ngremë Prishtinën lart dhe jam i bindur për këtë, ekipi është i gatshëm dhe besoj se do të arrijmë ta fitojmë titullin”, përfundoi ai.
Jean Michel – Cavalli ka pasuar Emmanuel Egbon, i cili u largua sezonin që lamë pas. /Zëri