Erik Rexha merr medaljen e artë në Kanada
Erik Rexha 16-vjecar, i lindur e i rritur në British Columbia të Kanadasë, me prindër nga Prizreni, ka marrë vendin e parë në garat e notit në këtë provincë. Garat u zhvilluan për 4 ditë, nga 11 deri më 14 korrik në Kamloops të Kanadasë.
Në garën me rreth 35 klube dhe rreth 650 notues nga e gjithë British Columbia, Eriku mori medalje të artë në garën prej 50 metrash në stilin flutur dhe medalje të bronztë në 100 metra në stilin e njëjtë.
Erik Rexha qysh në moshën 5-vjeçare merret me sportin e notit dhe është jashtëzakonisht i disiplinuar në përgatitjet e tij. Ne moshën 13-vjeçare Eriku ka marrë medalje në garat e notit në 50, 100 dhe 200 metra në stilin shpinë. Në moshën 14-vjeçare po ashtu merr medalje për të njëjtën disiplinë. Ndërsa, në moshën 15-vjeçare Eriku merr medalje në 50 dhe 100 metra stilin flutur.
Përveç sukseseve të tij të njëpasnjëshme në sportin e notit, Erik Rexha është edhe një nxënës i shkëlqyeshëm i shkollës së mesme në British Columbia me notë mesatare 98% të lëndëve shkencore.
Erik Rexha pritet që vitin e ardhshëm të marrë pjesë në garat e notit që do të mbahen në Toronto të Kanadasë me notues nga e gjithë Kanada.