Kompletohen çiftet gjysmëfinaliste – kush do të arrijë finalen e madhe?

Kompletohen çiftet gjysmëfinaliste – kush do të arrijë finalen e madhe?

Sport July 07, 2024 - 08:13

Tashmë ka përfunduar faza e çerekfinales dhe dihen ekipet që kanë arritur të sigurojnë kualifikimin në gjysmëfinale të Euro 2024.

Njësoj si në fazën e grupeve dhe në atë të 1/8 së finales, edhe çerekfinalet ishin ndeshje të cilat dhuruan emocione dhe spektakël ku disa legjendave iu shuan shpresat për të prekur finalen e madhe.

Gjatë katër ndeshjeve në çerekfinale patëm disa përballje shumë të forta, por që Spanja, Franca, Anglia dhe Holanda ishin ato që në fund triumfuan.

Në anën tjetër për legjenda si Toni Kroos, Cristiano Ronaldo dhe Pepe ky ishte fundi i garës për ta ndonëse Gjermania dhe Portugalia luftuan deri në sekondat e fundit për ta siguruar kualifikimin.

Njësoj ishte edhe për Zvicrën që përkundër kampanjës fantastike në Euro 2024 të udhëhequr nga kapiteni Granit Xhaka, ata u eliminuan në penallti nga Anglia.

Kur jemi tek faza e gjysmëfinales, tashmë dihen çiftet dhe orari se kur do të luhen këto ndeshje:

Francë – Spanjë

Një përballje shumë e fortë e cila do të hap fazën gjysmëfinale dhe do të luhet të martën e 9 korrikut me fillim nga ora 21:00 në ‘Allianz Arena’ të Munichut.

Dy mungesa shumë të rëndësishme për “Furinë e Kuqe” në këtë takim do të jenë dyshja Robin Le Normand dhe Dani Carvajal që kanë plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.

Mungesë do të jetë edhe Pedri i cili pas lëndimit që pësoi ndaj Gjermanisë, fatkeqësisht nuk do të mund të paraqitet në këtë ndeshje dhe as në finale nëse kualifikohen eventualisht.

Tek Franca shqetësim mbetet gjendja shëndetësore e Mbappes i cili ndaj Portugalisë nuk arriti të luajë deri në fund për shkak të dhimbjes në hundë.

Angli – Holandë

Një ditë më vonë (10 korrik) në fushë do të zbresin çifti tjetër gjysmëfinalist Anglia dhe Holanda, që do të luajnë me fillim nga ora 21:00 në ‘Signal Iduna Park’ të Dortmundit.

‘Tre Luanët’ llogariten favorit në letër, por ky edicion i Euro-s ka dëshmuar se befasitë mund të ndodhin andaj asgjë nuk mund të përjashtohet.

Tek të dy ekipet nuk pritet që të ketë ndonjë mungesë andaj të dy përzgjedhësit Gareth Southgate dhe Ronald Koeman do të futen në lojë me të gjitha forcat.

Kujtojmë se finalja e madhe do të zhvillohet më datë 14 korrik me fillim nga ora 21:00 në “Olympiastadion” të Berlinit./Telegrafi