
Pas eliminimit të Shqipërisë nga “Euro 2024”, Kurti: Ky grup lojtarësh na bëri krenarë, e ardhmja është premtuese
Shqipëria ka pësuar humbje nga Spanja në ndeshjen e fundit në fazën e grupeve në kuadër të kampionatit evropin “Euro 2024”.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Merkur Spiel Arena” përfundoi me rezultat minimal 0-1.
Golin e fitores për Spanjën arriti ta shënojë Ferran Torres në minutën e 13-të.
Pas ndeshjes ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ku tha se ky grup lojtarësh na bëri krenarë, teksa e ardhmja është premtuese.
“Në fushën e blertë u duk sikur jemi pjesëmarrës të rregullt, e jashtë saj dhe në shkallët e stadiumeve sikur ishim vendas. Ishte vetëm pjesëmarrja e dytë në një kampionat evropian.
Në fund, humbëm përballë Spanjës, tri herë kampione e Evropës dhe një herë kampione e Botës, dhe Italisë, dy herë kampione e Evropës e kampion në fuqi dhe katër herë kampione e Botës. Ndërkaq me Kroacinë, nënkampione e Botës në vitin 2018, barazuam në ndeshjen më të bukur të turneut deri më tani. Ky grup lojtarësh na bëri krenarë. E ardhmja është premtuese. Pritjet që kishim janë vetëm dëshmia më e fortë për standardin që kemi vënë”, u shpreh Kurti në Facebook. /Zëri
