Gjimshiti: Faleminderit të gjithëve, gjëja më e rëndësishme është të shohim përpara
Shqipëria ka pësuar humbje nga Spanja në ndeshjen e fundit në fazën e grupeve në kuadër të kampionatit evropin “Euro 2024”.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Merkur Spiel Arena” përfundoi me rezultat minimal 0-1.
Golin e fitores për Spanjën arriti ta shënojë Ferran Torres në minutën e 13-të.
Pas ndeshjes ka folur kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti ku u shpreh i lumtur për të gjithë ekipin, teksa ka falenderuar tifozët për mbështetjen.
"E filloj nga ekip, stafi, të gjithë që kanë qenë të pranishëm. Jam i lumtur për të gjithë ekipin për performancat që kemi treguar në fushë, jo shumë për ndeshjen e parë, ku u emocionuam.
Falënderoj gjithë tifozët që na kanë përkrahur dhe mbështetur kaq shumë në çdo ndeshje.
Gjëja më e rëndësishme është të shohim përpara. Patëm një grup ndër më të vështirët. Treguam ndeshje të mira.
Kemi bërë gabime, por është një eksperiencë e madhe për ne. Për të gjithë që bënë Europianin e parë, siç jam edhe unë.
Të rinjtë do të mësojnë dhe do të përmirësohen shumë”, deklaroi qendërmbrojtësi”.
Kësisoj, Shqipëria mbyll këtu garën në kampionatin evropian si e fundit në grup me vetëm një pikë. /Zëri