Bajrami: Spanja ekip me kualitet, duhet të japim maksimumin në lojë

Bajrami: Spanja ekip me kualitet, duhet të japim maksimumin në lojë

Sport June 22, 2024 - 15:23

Futbollisti i Kombëtares, Nedim Bajrami, tha se Shqipëria duhet të japë maksimumin e saj në ndeshjen e ditës së hënë me Spanjën.

Komentet Bajrami i bëri në një deklaratë për mediat, ku tha se Spanja është një skuadër favorite për të fituar Euro 2024.

Bajrami tha gjithashtu se nuk kishte informacion se me çfarë formacioni do të luante Spanja, por shtoi se Kombëtarja shqiptare duhet të fokusohet te loja e vetë dhe rastet për gol.

Ai shtoi gjithashtu se ishte i gatshëm të luante në çdo pozicion që do e caktonte trajneri në ndeshjen me Spanjën.

“E dinë të gjithë që Spanja është një skuadër favorite për të fituar Europianin. Duhet të përgatitemi shumë mirë për atë ndeshje. Të gjithë çunat duhet të jenë gati. S’ka rëndësi kush do luajë e kush futet, duhet me dhënë maksimumin. Ato raste që i kemi ndeshje duhet me dhënë gol apo me bo maksimumin.

Besoj se me Italinë e patë vetë që e filluam ndeshjen mirë. Pastaj Italia shënoi dy gola. Edhe me Kroacinë e bëmë një djeshje shumë të bukur, ku luftuam deri në fund. Me Spanjën e dimë të gjithë që janë lojtarë shumë të fortë. Nuk ka rëndësi se kush do luajë te Spanja, sepse i gjithë ekipi ka kualitet.

Ne duhet të fokusohemi te loja jonë dhe të japim maksimumin. Jemi duke luajtur me një nivel internacional dhe duhet të jemi më konkret para golit. Ku ka nevojë unë jam gati. Në Futboll nuk ka dhurata, duhet të fokusohemi te loja jonë. Të japim maksimumin”, tha Bajrami.