FFK-ja me tjetër ankesë në UEFA për sjelljet e tifozëve serbë

FFK-ja me tjetër ankesë në UEFA për sjelljet e tifozëve serbë

Sport June 20, 2024 - 21:32

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar përmes një komunikate se ka dërguar edhe një ankesë në drejtim të UEFA-s për sjelljet e tifozëve serbë në “EURO 2024”.

Ankesa ka të bëj me përsëritjen e sjelljes me retorikë nacionaliste dhe raciste nga tifozët serbë gjatë ndeshjes së Grupit C të “EURO 2024”, ndërmjet Sllovenisë dhe Serbisë, e cila u zhvillua të enjten në Munih.

FFK-ja e dënon po ashtu edhe shpalosjen e flamurit serb me mbishkrimin “S’ka dorëzim”.

“FFK dënon fuqimisht thirrjet nacionaliste dhe vendosjen e flamurit serb me hartën e Kosovës e me mbishkrimin “S’ka dorëzim”. Përsëritja e sjelljeve të tilla në stadiumet e futbollit, edhe pas dënimeve të mëparshme nga UEFA, është e papranueshme dhe kërkon rigorizitet më të madh nga organet vendimmarrëse të UEFA-së. Mesazhet me retorikë shoviniste janë skandaloze, bien ndesh me vlerat që përçon sporti dhe minojnë parimet bazë të UEFA-së. I bëjmë thirrje edhe një herë organeve të UEFA-së që të jenë më rigoroze ndaj përsëritjes së mesazheve të tilla armiqësore ndaj vendit tonë, si anëtar i barabartë me të gjitha vendet e tjera në familjen e futbollit evropian”, thuhet ndër të tjerash në komunikatën e FFK-së.

Shtëpia e futbollit kosovar i ka bërë thirrje organizatorit të jetë më vigjilent, për të mos lejuar shfaqjen e mesazheve të tilla.