Theu hundën, raporti i ri tregon numrin e ndeshjeve që Mbappe do t’i humbasë për Francën në “Euro 2024”

Theu hundën, raporti i ri tregon numrin e ndeshjeve që Mbappe do t’i humbasë për Francën në “Euro 2024”

Sport June 18, 2024 - 11:59

Një raport i ri i mediave ka zbuluar se sa ndeshje mund të mungojë sulmuesi Kylian Mbappe në "Euro 2024", pas lëndimit që pësoi kundër Austrisë.

Franca mundi Austrinë 1-0 në ndeshjen e parë të "Euro 2024" të hënën. Maximilian Wober shënoi me kokë në rrjetën e tij nga një krosim i Mbappes për golin e vetëm të ndeshjes së Grupit D në Dusseldorf.

Por, fitorja pati një çmim të madh për “Gjelat”, pasi Mbappe theu hundën pas një përplasjeje në një duel ajror me mbrojtësin Kevin Danso.

Ai u detyrua të largohej në fund të ndeshjes, teksa më vonë kërkoi ide për ndonjë maskë për fytyrë.

Franca rifillon fushatën në "Euro 2024" të premten kur do të përballet me Holandën, e cila erdhi nga disavantazhi për ta mposhtur Poloninë të dielën.

Dhe Didier Deschamps mund të jetë pa yllin e tij për ndeshjen e tyre kundër ekipit të Ronald Koeman.

Për më tepër, Mbappe mund të jetë i padisponueshëm për "dy javë", duke e përjashtuar potencialisht atë deri në fazën çerekfinale.

Kjo sipas RTL France, përmes mediumit Get French Football News, i cili raporton se 25-vjeçari do të jetë jashtë fushës për rreth 15 ditë.

Megjithatë, gazeta tjetër franceze Le Figaro raporton se ai do të kthehet në fazën eliminatore, duke munguar kështu vetëm në dy ndeshjet e ardhshme të grupit, ndaj Holandës dhe Polonisë. /Telegrafi