“Eksperienca i vetmi avantazh i Italisë, Gjimshiti e ndal Scamaccan” – Igli Tare tremb italianët para përballjes me Shqipërinë
Shqipëria po përgatitet për ndeshjen e parë të Euro 2024, atë të datës 15 qershor ndaj Italisë, ku kuqezinjtë do të kërkojnë të befasojnë dhe të dalin me një rezultat pozitiv, duke parë kundërshtarët e grupit Spanjën dhe Kroacinë.
Ish-sulmuesi kuqezi, Igli Tare në një intervistë për “Gazzetta Dello Sport” ka trembur italianët duke theksuar se Azurrët përveç eksperiencës, nuk kanë asgjë më shumë se Shqipëria.
“I kam parë ndeshjet e fundit të Italisë dhe sigurisht në krahasim me Italinë kanë më shumë eksperiencë. Ky është i vetmi avantazh sepse sa i takon organikës, dy skuadrat janë në nivel të barabartë. Duhet menaxhuar mirë aspekti emocional sepse në të tilla ndeshje mund të bllokohesh”.
“Shoh që Italisë i mungon diçka në lojë, por mund të përmirësohen gjatë turneut. Besoj se lojtari kryesor i tyre është Scamacca. Mund të jetë befasi e këtij Evropiani nëse konfirmon formën e këtyre dy muajve të fundit. Por, besoj se duelin mes tij dhe Gjimshitit do ta fitojë mbrojtësi shqiptar. E njeh mirë dhe di si ta ndalë”, ka thënë Tare.
Tare e ka vlerësuar lartë përzgjedhësin e Italisë, Luciano Spallettin, duke thënë se i sjell shumë ekipit.
“Siguri dhe mentalitet fituesi. Di si ta sjellë skuadrën në formën e duhur, në momentin e duhur, edhe sa i takon aspektit emocional. Dhe për më tepër aty pranë ka një figurë si Buffon”, deklaroi Tare. /Telegrafi