Portugalia merr një lajm të rëndë, top ylli lëndohet dhe s’do të luajë në “Euro 2024”
Portugalia ka marrë një goditje të rëndë para fillimit të Euro 2024, me përzgjedhësin Roberto Martinez i cili është detyruar të bëjë një ndryshim vetëm pak javë pasi e publikoi listën e lojtarëve të ftuar.
Martinez e kishte publikuar listën preliminare prej 26 futbollistëve më datë 21 maj.
Lista e cila udhëhiqej nga kapiteni Cristiano Ronaldo, përmbante brenda vetes emra si Bruno Fernandes, Diogo Jota, Ruben Dias dhe Bernardo Silva ndërsa edhe yje të tjerë si Joao Felix, Joao Cancelo dhe Diego Costa ishin po ashtu të ftuar.
Një tjetër lojtar që kishte marrë ftesën e Martinezit ishte mesfushori Otavio, i cili është bashkëlojtar i Cristiano Ronaldos tek Al Nassr në Arabi.
29-vjeçari ka shënuar 10 gola dhe ka dhuruar pesë asistime për ekipin e Luis Castros, shifra këto që ishin të mjaftueshme për të fituar ftesën e Martinez.
Por, Otavio ka pësuar një lëndim gjatë finales së Kupës së Arabisë dhe ky lëndim ka bërë që ai ta humbasë Euro 2024.
Portugalia veproi menjëherë dhe në vend të tij e ftoi mesfushorin e Manchester Cityt, Matheus Nunes.
“Matheus Nunes është ftuar këtë të martë nga Roberto Martinez për Euro 2024. Mesfushori i Manchester City do ta plotësojë vendin e lënë bosh nga mungesa e Otavios, i cili është lënduar duke luajtur për Al Nassr”, thuhej në njoftimin e Portugalisë.
Nunes i cili ka 12 paraqitje për Portugalinë që prej se bëri debutimin e tij në 2021, ka qenë fillimisht i përjashtuar nga lista preliminare e Martinezit, por fati duket se ka qenë në anën e tij./Telegrafi/