
FC Ballkani, kampion i Kosovës për herë të tretë radhazi
Dilema për titull kampioni në Superligën e Kosovës në futboll mori fund sot.
Ballkani ka arritur ta fitojë titullin për herën e tretë radhazi.
Vetëm Besa nga Peja pati arritur ta fitojë tri herë rresht titullin në edicionet 2004-05, 2005-06 dhe 2006-07.
Lufta ishte e zjarrtë deri në xhiron e parafundit me Llapin, e deri para dy xhirove edhe me Dritën që u dorëzua më herët.
Megjithatë, në duelin direkt me llapjanët, Ballkani triumfoi, duke e siguruar matematikisht titullin.
Ndeshja e zhvilluar në “Zahir Pajaziti” në praninë e shumë tifozëve u mbyll me fitore minimale për ekipin e Ilir Dajës.
Goli i fitores erdhi në minutën e 74-të nëpërmjet Bernard Karricës.
Llapi pati disa raste të mira shënimi, por që nuk ia doli dot.
Ekipi i Tahir Batatinës u tregua rival i denjë i Ballkanit për titull, duke luftuar deri në fundin e kampionatit, por që do të duhet të kënaqen vetëm me vendin e dytë ose të tretë.
Në katër duelet tjera, u shënuan jashtëzakonisht shumë gola, 24 gjithsej.
Gjilani fitoi 2:1 në derbin e Anamoravës ndaj Dritës, duke bërë një hap të madh drejt ikjes nga pozita që dërgon në barazh.
Prishtina triumfoi thellë 5:0 ndaj Fushë Kosovës, me dy ekipet që nuk kanë ndonjë objektiv.
E dy ekipe pa objektiv që u ballafaquan me njëra-tjetrën ishin edhe Malisheva dhe Liria. Rezultati përfundimtar aty ishte 7:4 për malishevasit.
Drilon Hazrollaj shënoi katër gola në këtë ballafaqim.
Fitore shënoi po ashtu edhe Feronikeli 74 që mposhti 3:2 Dukagjinin.