Nesër mund të vendoset titulli në Superligë, Llapi e pret Ballkanin
Të shtunën do të zhvillohet xhiroja e parafundit në Superligën e Kosovës në futboll.
Pa dyshim, e tërë vëmendja është të shtunën në stadiumin “Zahir Pajaziti”.
Llapi do të jetë nikoqir i Ballkanit, duel që mund të vendos titullin e kampionit në elitën e futbollit kosovar.
Me fitore ose barazim, suharekasit matematikisht do ta siguronin titullin e tretë radhazi në Superligë.
Aktualisht, Ballkani prin me 72 pikë, katër më shumë se Llapi, shkruan Gazeta Express.
E ekipi i drejtuar nga Tahir Batatina e ka një rrugë shumë të vështirë për të arritur te titulli kampion.
Llapjanët duhet ta mposhtin nesër Ballkanin dhe të shpresojë në një gabim të ekipit nga Suhareka në xhiron e fundit ku përballet me Prishtinën.
Duel tjetër interesant nesër është edhe derbi i Anamoravës, mes Gjilanit dhe Dritës.
“Intelektualët” e kanë siguruar pozitën e tretë dhe kalimin në Evropë, kështu që nuk kanë ndonjë objektiv për të arritur këtë sezon.
Në anën tjetër, Gjilani po lufton për të mos mbetur në vendin e tetë, që dërgon në ndeshjen e barazhit.
Për të mos mbetur në pozitën e barazhit po lufton edhe Feronikeli 74 që në këtë xhiro ndeshet me skuadrën e Dukagjinit, që edhe matematikisht e ka siguruar mbijetesën.
Në takimet tjera përballen: Malisheva – Liria dhe Prishtina – Fushë Kosova.
Të gjitha këto takime nisin nga ora 15:00. /Express/