Gjysmëfinalet e play-offit të Prince Caffe Superligës, në fundjavë
Në fundjavë fillojnë ndeshjet gjysmëfinale të play-offit në Prince Caffe Superligë, ku pritet një spektakël i basketbollit.
Në gjysmëfinale do të ndeshen katër skuadrat që u renditën më lart dhe ku katër skuadra do të luftojnë për trofeun e çmuar.
Peja dhe Golden Eagle Ylli kishin pikë të barabarta pas 28 xhirosh, por pejanët ishin më të mirë në ndeshjet direkte. Dy skuadrat verdhezi kishin nga 19 fitore e nëntë humbje.
Kampionët kërkojnë të mbrojnë titullin e fituar edicionin e kaluar, derisa therandasit ta rikthejnë, pasi ishin shpallur kampionë në dy edicionet paraprake. Ylli në çerekfinale të play-offit kishte mundur Bashkimin 2:0 për të depërtuar në gjysmëfinale, ku pritet superpërballje.
Gjysmëfinalja tjetër pritet të jetë edhe më e zjarrtë mes Trepçës dhe Sigal Prishtinës. Mitrovicasit e përfunduan edicionin në vendin e parë me 25 fitore e tri humbje, ndërsa bardhekaltrit u renditën në vendin e katërt me 16 fitore e 12 humbje, kurse në çerekfinale eliminuan Vëllaznimin 2:1. ‘Xehetarët’ kanë fituar Kupën, Superkupën dhe Ligën Unike, duke e kërkuar trofeun e katërt për këtë edicion, kurse prishtinasit së fundi fituan në Ligën Ballkanike, duke kërkuar titullin të rikthehet në kryeqytet.
Në katër sfidat e Prince Caffe Superligës, në këtë edicion ka fituar Trepça, ashtu si edhe në finale të Kupës, Superkupës dhe gjysmëfinale të Ligës Unike. Skuadra që shënon tri fitore kualifikohet në finale. /Zëri
Gjysmëfinalet 1:
E shtunë:
17:15 Peja - Golden Eagle Ylli.
E diel:
19:00 Trepça - Sigal Prishtina.