Federata gjermane dhe “Adidas” ndalojnë shitjen e fanellës me numrin 44, shkaku i historisë së errët

Federata gjermane dhe “Adidas” ndalojnë shitjen e fanellës me numrin 44, shkaku i historisë së errët

Sport April 02, 2024 - 19:29

Federata Gjermane e Futbollit dhe kompania e tyre e bashkëpunimit për veshjet sportive, “Adidas”, kanë ndaluar shitjen e fanellave të ekipit kombëtar me numrin “44”, për shkak të ngjashmërisë së tyre me logon e njësive paraushtarake famëkeqe të Partisë Naziste.

“Adidas” njoftoi zyrtarisht për ndalimin e opsioneve të personalizuara të fanellave me emra dhe numra, ndërsa Federata gjermane ndaloi shitjen e fanellave me numrin “44” nga dyqani zyrtsr dhe po kërkon në mënyrë aktive një dizajn alternativ për numrin “4”.

Vendimi erdhi pasi përdoruesit e mediave sociale vunë në dukje ngjashmërinë me simbolin tashmë të ndaluar në Gjermani.

Zëdhënësi i “Adidas”, Oliver Bruggen, mohoi se ngjashmëria e numrit me simbolet naziste ishte e qëllimshme.

“Ne si kompani jemi të përkushtuar që të kundërshtojmë ksenofobinë, antisemitizmin, dhunën dhe urrejtjen në çdo formë”, tha ai.

Nga “Adidas” për “BBC” thanë se Federata Gjermane e Futbollit (DFB) dhe partnerët e saj kishin projektuar numrat në fanella.

Në një postim në “Twitter/X”, DFB shkroi se modelet e fanellave i ishin dorëzuar UEFA-s për shqyrtim gjatë procesit të projektimit dhe se “asnjë nga palët e përfshira nuk pa ndonjë afërsi me simbolizmin nazist”. /Express/