“MKRS-ja dhe FFK-ja ‘avulluan’ një milion euro me kontratën njëburimore për bar sintetik hibrid”
Deputeti i Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka ngritur dyshime për kontratën një burimore për fushën me bar sintetik hibrid.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Haxhiu ka thënë se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por edhe Federata e Futbollit të Kosovës duhet të japin përgjegjësi për kontratën njëburimore për fushën me bar sintetik hibrid, të cilën e kanë dhënë për 1.3 milion euro, shkruan Zeri.info.
Sipas Haxhiut, ky lloj i barit në çmimet e tregut nuk kushton më shumë se 270-300 mijë euro.
Andaj ai edhe e ka ftuar Prokurorinë që të nisë hetimet rreth kësaj kontrate njëburimore, duke thënë se janë një milion euro të cilat janë keqpërdorur dhe, siç ka thënë ai, janë “tretur”.
“Prokuroria të hetojë këtë rast, ku u ‘tretën’ një milion euro me kontratën një burimore? Si u transferuan paratë nga MKRS-ja në OJQ dhe si u formua komision i përbashkët MKRS-FFK, me qëllim zhvatjen e 1 milion eurove. Degradim i sportit, keqpërdorime, zhvatje, dështime në infrastrukturën sportive, dështime në organizim, dhunë fizike edhe në garat e fëmijëve - kjo është pasojë e keqmenaxhimit që po ndodh në sektorin e sportit. Ministri del merr poza e lavdërohet me zhvatjen e 1 milion eurove të parasë publike”, ka shkruar ndër të tjera Haxhiu. /Zëri