Kosova e lëshon fitoren nga duart në ndeshjen e dytë ndaj Letonisë
Pas fitores në ndeshjen e parë dje, Kombëtarja e Kosovës në futsall u nda baras me rezultat 3:3 ndaj Letonisë në miqësoren e dytë, e cila u zhvillua sot.
“Dardanët” treguan më shumë në pjesën e parë duke e mbyllur me epërsi prej 1:0, me golin e shënuar nga Mërgim Dervishaj.
Me të filluar pjesa e dytë, Kosova shënoi edhe dy herë të tjera me Melos Kelmendin dhe Drilon Maxharrajn për ta dërguar rezultatin në 3:0.
Pas këtij rezultati, përzgjedhësi Agron Ramadani iu dha më shumë minuta që të gjithë lojtarëve që ishin tubuar.
Miks Babris shënoi për 3-1, ku ky rezultat ishte deri 35 sekonda pa u mbyllur ndeshja.
Një gabim i portierit, Bajram Ramdani, bëri që rezultati të afrohej në 3:2, ku Germans Matjusenko shënoi nga afër.
Kur kishin mbetur edhe pak sekonda, pas disa gabimesh të lojtarëve tanë, Andrejs Baklanovs shënoi për 3:3.
Edhe përkundër këtij barazimi, në dy ndeshjet e zhvilluara, Kosova tregoi se është më e mirë se Letonia dhe se futsalli dita e ditës po dëshmon ngritjen. /Zëri