Zekirija Ramadani merr përgjegjësinë për humbjen nga Llapi

Zekirija Ramadani merr përgjegjësinë për humbjen nga Llapi

Sport February 10, 2024 - 16:35

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani ka mbetur i zhgënjyer me paraqitjen e futbollistëve dhe humbjen ndaj Llapit. 

Drita u mposht në shtëpi nga Llapi me rezultat 1-0 në ndeshjen e parë të stinorit pranveror në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Kjo humbje ka lënë shije të hidhur te trajneri i vendasve, Ramadani, i cili ka kritikuar futbollistët e tij për paraqitjen, por edhe ka marrë përgjegjësinë për humbjen.

“Goli i hershëm nuk duhet të jetë arsyetim për këtë humbje. Ne e kemi zhvilluar pjesën e parë më të dobëtën në gjithë kampionatin. Në përgjithësi mund të them se na prishi punë mos-guximi, mos-marrja e përgjegjësisë në fushë”, ka thënë fillimisht Ramadani pas humbjes.

“Unë e marr përgjegjësinë për humbje. Nuk dhamë atë që na duhej ta japim. Në pjesën e dytë ishim më agresiv, patëm raste. Pas golit, Llapi menaxhoi mirë rezultatin. Por, unë nuk jam i kënaqur as me rezultatin dhe as me paraqitjen”.

“Ky është sinjal se herëve të tjera nuk duhet ta nisim kështu ndeshjen. Jam i bindur se do ta gjejmë mënyrën se si do ta nxjerrim më të mirën nga gjithë futbollistët”.

“Do të bëjmë analizë dhe do të nxjerrim mësim nga kjo humbje dhe të mos i bëjmë të njëjtat gabime. Duhet të punojmë më tepër”, përfundoi trajneri i Dritës.