“Prokuroria të zbarkojë në FFK, ngjyrat e Kombëtares së Kosovës janë njollosur rëndë”
Analisti i njohur Halil Matoshi i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të nisë hetimet brenda Federatës së Futbollit të Kosovës.
Sipas Matoshit, ngjyrat e Kombëtares kosovare dhe imazhi i shtetit janë njollosur nga papërgjegjësia si shkak i të cilave, sipas tij, është dëmtua besimi i lojtarëve në FFK, por edhe i publikut, transmeton Zeri.info.
“Prokuroria duhet me i dritësu faktet që e çuen Kombëtaren e Kosovës në kolaps:
- Si dhe nga kush u ndërmjetësu kontrata me trajnerin e dështuem Alain Giresse dhe kush e ndërmjetësoi dhe sa i kushtoi FFK-së trajneri tjetër anonim dhe i dështuem Primoë Gliha?
- Të intervistohet Gliha përse u menjanu Edon Zhegrova masi slloveni dha dy deklarata kontroverse, spari që vet e ka marrë vendimin, e s’dyti që ka qenë i shtymë nga Federata!?
- Gliha të intervistohet edhe për deklaraten shokuese se ekipin (titullarët) e kombëtares i përcakton nji gazetare; Kush âsht ajo, çfarë kontrate ka me FFK-në dhe cilat janë implikimet e saj në kombëtare?”, shkroi Matoshi.
Shkrimi i plotë i Matoshit [pa ndërhyrje]:
Prokuroria e shtetit duhet me zbarku në FFK, ex oficio
Ngjyrat e kombëtares kosovare (imazhi i shtetit) janë njollosun randë!
Nga lloqi dhe papërgjegjësia!
Me sjellje të papërgjegjshme të palëve, âsht damtu skajshëm besimi i lojtarëve kosovarë në FFK sa që shumica shikojnë kah kombëtarja shqiptare, kurse publikut i âsht zbehë besimi në këtë kombëtare. Rezultati i dobët në grupin ma të letë kualifikues (kur edhe Zvicra e Rumania vuenin ditët e tyne të zeza) duhej me e çu Agim Ademin në dorëheqje megjithë kryesinë e FFK-së dhe shtabin teknik megjithë drejtorin e kombëtares, 15 munuta mas lojës së pramshme, e trajnerin e kontrabânduar slloven Gliha në shkarkim, për veprime demotivuese në ekip e deklarata kontroverse.
Por meqenëse në këtë vend askush nuk merr përgjegjësi për asgjâ, në FFK duhet me u bâ nji auditim urgjent nga Zyra Kombëtare e Auditimi dhe nji investigim ex oficio i Prokurorit të shtetit, pasi që shpenzimi i parasë publike (bâhet fjalë për miliona) âsht bâ pa karar, pa asnji investim kapital dhe infrastrukturor.
Prokuroria duhet me i dritësu faktet që e çuen Kombëtaren e Kosovës në kolaps:
- Si dhe nga kush u ndërmjetësu kontrata me trajnerin e dështuem Alain Giresse dhe kush e ndërmjetësoi dhe sa i kushtoi FFK-së trajneri tjetër anonim dhe i dështuem Primoë Gliha?
- Të intervistohet Gliha përse u menjanu Edon Zhegrova masi slloveni dha dy deklarata kontroverse, spari që vet e ka marrë vendimin, e s’dyti që ka qenë i shtymë nga Federata!?
- Gliha të intervistohet edhe për deklaraten shokuese se ekipin (titullarët) e kombëtares i përcakton nji gazetare; Kush âsht ajo, çfarë kontrate ka me FFK-në dhe cilat janë implikimet e saj në kombëtare?
- Të sqarohet si âsht e mundshme të këtë dy vendime paralele për mirëmbajtje të fushës në “Fadil Vokrri”, (i sjellun në nji gjendje për nasihat, pra i metun n’lloq) nji që thotë së mirëmbajtjen e bân FFK-ja e nji tjetër Komuna e Prishtinës;
- Të investigohet si erdhi deri te kontrata me Komunën e Prishtinës që fusha e ndërtueme për komunitetin në Hajvali t’i bartet në pronësi kombëtares për 99-vjet!?
- Si erdhi deri të damtimi i imazhit të Kombëtares nga ana e drejtorit Bajram Shala, që mori karton, për sjellje të papërgjegjshme e vulgare nga arbitri, në ndeshje me Bjelorusinë?
P.S.
Përgjegjet në këto pyetje legjitime janë në interesin e publikut dhe, tue qenë se FFK perceptohet si institucion i korrumptuem me të gjitha instancat e saj, kurse MKRS nuk ka as përvojën dhe as guximin me i ngritë këto çashtje, vetëm Prokuroria e shtetit mundet me i zbardhë ato!