“Preferoj një ndeshje me Serbinë”, Armand Duka tregon preferencat e grupit në “Euro 2024”

“Preferoj një ndeshje me Serbinë”, Armand Duka tregon preferencat e grupit në “Euro 2024”

Sport November 22, 2023 - 11:45
Lajmet e fundit nga Sporti

Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka thënë se do të preferonte që shorti për “Euro 2024” në vazon e tretë Shqipërisë t’i takonte që të përballej ose me skuadrën sllovene, ose me atë serbe.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu në “Opinion” në “Tv Klan” se pse do të preferonte një ndeshje kundër Serbisë, Duka ka thënë se nuk i shikon si një ekip shumë i fortë në futboll në krahasim me skuadrat e tjera në këtë vazo.

“Rregullat e shortit janë të ndara në 4 vazo. Shqipëria është në vazon e dytë dhe do të kemi kundërshtarë nga një nga çdo vazo nga e para, e treta dhe e katërta. Aty nuk ka asnjë skuadër të dobët. Nëse do të nisemi me vlerësimin e skuadrave për nga historia, Shqipëria mund të konsiderohet me më pak rezultate”, ka thënë fillimisht Duka.

“Nga ato skuadrat e vazos së parë që më pëlqen aty është Gjermania. Jo vetëm që bëjmë ndeshjen hapëse, por mund të luajmë më mirë futboll kundër Gjermanisë sesa kundër atyre 5 tjerave, nuk më duket në momentin më të mirë Gjermania. Ata janë shumë të forta të gjitha prandaj”.

“E ke të vështirë t’i zgjedhësh dhe me dorë, kështu që çfarëdo që të sjellë shorti. Nëse do t’i zgjidhje me dorë, unë do të preferoja Gjermaninë te vazo e parë, Slloveninë ose Serbinë te vazo e tretë”.

“Unë po flas për futboll, sepse nuk ka qenë ndonjë ekip shumë… Këtu janë të gjitha skuadra të forta”, përfundoi i pari i FSHF-së.