Kaos në ndeshjen Brazil – Argjentinë, përleshje të dhunshme mes tifozëve dhe intervenim i policisë

Kaos në ndeshjen Brazil – Argjentinë, përleshje të dhunshme mes tifozëve dhe intervenim i policisë

Sport November 22, 2023 - 09:37
Lajmet e fundit nga Sporti

Kapiteni i Argjentinës, Lionel Messi, e ka akuzuar policinë braziliane për brutalitet, ndërsa fillimi i lojës kualifikuese për Botëror ndaj Brazilit u shty për gjysmë ore, pas përleshjes mes policisë dhe tifozëve vizitorë në “Maracana Stadium”.

Tifozët brazilianë dhe ata argjentinas nisën të përlesheshin prapa portës gjatë intonimit të himneve, duke e detyruar policinë që të interveonojë dhe në këtë rast e pësoi më së keqi kontingjenti mysafir, shkruan “Reuters”.

Disa tifozë argjentinas u përgjigjën duke i hequr dhe duke i hedhur ulëset në drejtim të policëve dhe të tifozëve kundërshtarë dhe dolën në fushë për t’iu shpëtuar dyluftimeve.

Një tifoz argjentinas përfundoi në fushë i përgjakur në fytyrë, ndërsa u largua nga stadiumi me barelë.

Ekipi i Argjentinës, i drejtuar nga Messi, shkoi tek tribunat në përpjekje për ta qetësuar situatën para se të largoheshin nga fusha për t’u rikthyer në dhomat e zhveshjes.

Përleshje të dhunshme pati edhe mes tifozëve të ekipit argjentinas, Boca Juniors dhe të atyre brazilianë të Fluminenses në Rio de Janeiro para finales së Copa Libertadores mes dy klubeve në muajin e kaluar.

 

 

Lojtarët argjentinas mbrëmë u rikthyen në fushë pasi policia i siguroi tifozët vizitorë dhe loja vazhdoi pas një vonese të gjatë.

Kampionia e botës fitoi me rezultat 1:0 falë golit të shënuar me kokë në minutën e 63-të nga Nicolas Otamendi.

Lojtarët argjentinas e festuan këtë gol të rëndësishëm ndaj rivalëve të tyre të përbetuar, duke shkuar tek tifozët e tyre të zjarrtë në fund të fushës, aty ku kishte ndodhur paraprakisht incidenti.

Kjo ishte humbja e tretë radhazi për kampionin e pesëfishtë të botës, Brazilin, i cili mbeti me një lojtar më pak që nga minuta e 18-të kur mesfushori Joelinton u ndëshkua me karton të kuq.