Pas humbjes nga Bjellorusia, Zyba: Kosova dhe tifozët meritojnë më shumë

Pas humbjes nga Bjellorusia, Zyba: Kosova dhe tifozët meritojnë më shumë

Sport November 21, 2023 - 23:26

Kosova është mposhtur nga Bjellorusia në ndeshjen e fundit të ciklit kualifikues të kampionatit evropian “Euro 2024”.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” përfundoi me rezultat 0-1.

Golin për bjellorusët e shënoi Antilevski krejt në fund të pjesës së parë. 

Në fakt, Kosova ishte dukshëm më dominuese teksa kishte edhe disa raste bukura shënimi nga Florent Muslija, mirëpo pa konkretizim të golit.

Deri në fund nuk pati më gola dhe ndeshje mori rezultatin 0-1.

Kjo ndeshje nuk kishte vlerë pasi që dyjat skuadrat luajtën vetëm për statistika, teksa ishin pa gjasa për kualifikim.

Pas përfundimit të ndeshjes, mesfushori Qendrim Zyba tha se Kosova dhe tifozët e saj meritojnë më shumë.

Zyba më tej shtoi se ata e ëndërronin kualifikimin në Kampionatin Evropian.

“Më vjen keq për tifozët dhe shtetin e Kosovës se meritojmë më shumë, e kemi pasur ëndërr të kualifikoheshim. Por, nuk ecën gjithmonë, kishim shanse por nuk konkretizuam. Pësuam nga hiçi dhe kundërshtari më pas u tërhoq mbrapa, ishte e vështirë”, tha Zyba për SuperSport.

“Është një ndjenjë që nuk e përshkruaj dot, të jem këtu dhe të përfaqësoj shtetin tim. Mund të japim edhe më shumë, por duhet kohë që të njihemi me njëri-tjetrin. Do të vijnë shpejt ditët e mira sepse kemi cilësi”.

“Kombëtarja është një shtysë për të bërë një hap më të madh në karrierë, pse jo edhe në merkaton e janarit”, u shpreh Zyba që luan me Ballkanin.

Kosova i mbyll kualifikimet me humbje, teksa zë vendin e pestë me 11 pikë në Grupin I, ndërsa Bjellorusia renditet në një pozitë më lart e me një pikë me shumë (12). /Zëri