Kupa Evropiane: Eliminohet Istogu, pëson humbje të thellë

Kupa Evropiane: Eliminohet Istogu, pëson humbje të thellë

Sport November 19, 2023 - 17:19

Kampioni i Kosovës në hendboll (femrat), Istogu, është ndalur në rrethin e tretë të Kupës Evropiane (EHF European Cup). Istogu në fundjavë e kishte përballë skuadrën e madhe sllovake, IUVENTA Michalovce.

Të dy ndeshjet u zhvilluan në Michalovce, ndërsa IUVENTA kaloi tutje me rezultatin e përgjithshëm, 90:36.

Pas fitores 43:18 të shtunën, skuadra sllovake të dielën paradite fitoi me rezultat edhe më të lartë, 47:18. Sërish me e dalluara tek Istogu ishte Dajana Milaniq, që shënoi gjashtë gola nga tetë tentime. Katër gola nga gjashtë tentime i kishte Nihed Limem, ndërsa katër gola nga 11 tentime i realizoi Natalija Milatoviq.

IUVENTA vjet ishte në gjysmëfinale të Kupës Evropiane dhe dëshmoi se ka nivel dukshëm më të lartë se kampioni kosovar.

Istogu është ekipi i vetëm kosovar i hendbollit që arriti në raundin e tretë të Kupës Evropiane. Kupa Evropiane është niveli i tretë i garave evropiane për klube të hendbollit, pas Ligës së Kampionëve dhe Ligës Evropiane.

Skuadrat kosovare garimin e nisën në raundin e dytë. Te hendbollistët, Besa Famgas dhe Trepça u ndalën në këtë raund, njëjtë si Ferizaj te hendbollistet. Ndërkohë Istogu e eliminoi skuadrën portugeze 1Maio.

Ndeshjet me skuadrën portugeze Istogu i zhvilloi në Pejë. Ndërkohë u pajtua që dy ndeshjet me IUVENTAN t’i luajë në Sllovaki, me arsyetimin që palestra në Istog është jashtë funksionit. Në fakt, palestra në Istog është hapur pak vjet më parë, por vazhdimisht ka pasur telashe të mëdha për funksionim. Tani nuk plotëson fare kushtet për zhvillim të ndeshjeve. Një renovim i paralajmëruar në pjesën e parë të vitit, nuk ka nisur ende.

Me eliminimin e Istogut vazhdon rrëfimi i njëjtë sa u takon skuadrave kosovare të hendbollit. Çdo vit ndonjë skuadër e kalon kundërshtarin e parë evropian, por kundërshtari i dytë deri më tani ishte i pakalueshëm.