Shqipëria nisi përgatitjet për ndeshjen e fundit me Ishujt Faroe

Shqipëria nisi përgatitjet për ndeshjen e fundit me Ishujt Faroe

Sport November 18, 2023 - 17:56

Pasi siguroi kualifikimin në Kampionatin Evropian “Euro 2024” me barazimin 1-1 ndaj Moldavisë në transfertë, Kombëtarja shqiptare udhëtoi menjëherë pas ndeshjes, për të mbërritur në Tiranë pas mesnatës. 

Stafi teknik ka vendosur që kuqezinjtë të nisin menjëherë përgatitjet për takimin e të hënës ndaj Ishujve Faroe, e fundit në këtë edicion kualifikues, ku do të kërkohet fitorja për të siguruar vendin e parë në Grupin E.

Gjatë paradites së sotme në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit’’ Kombëtarja zhvilloi seancën stërvitore në kuadër të ndeshjes ndaj Ishujve Faroe. 

Departamenti i Komunikimit në FSHF bëri me dije se “në stërvitjen e sotme ishin të pranishëm të gjithë lojtarët. Futbollistët e aktivizuar si titullarë në sfidën ndaj Moldavisë u stërvitën vetëm në palestër, ndërsa pjesa tjetër e lojtarëve pas punës në palestër, dolën në fushë dhe u stërvitën rregullisht nën urdhrat e trajnerit Sylvinho. Ekipi gëzon formë të mirë dhe nuk ka asnjë problem fizik”.

Ndeshja Shqipëri – Ishujt Faroe do të luhet në stadiumin “Air Albania” më datë 20 nëntor duke nisur nga ora 20:45. Ndërkaq, ekipi do të zhvillojë përgatitjet e fundit në kuadër të sfidës ndaj Ishujve Faroe ditën e nesërme, ndërsa trajneri Sylvinho dhe kapiteni i skuadrës, Berat Gjimshiti, do të jenë përpara mediave në konferencën tradicionale për shtyp në ora 17:15.