Dardanët stërviten me përkushtim në rrebesh shiu
Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar sot paradite me stërvitjen e radhës në Kampin Nacional në Hajvali, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen kundër Zvicrës për kualifikimet "Euro 2024", njofton Federata e Futbollit e Kosovës, transmeton Zëri.
Seanca e sotme u mbajt nëpër kushte të vështira të motit, me rrebesh shiu dhe erëra të forta. Përkundër këtij fakti, futbollistët u shfaqën maksimalisht të përkushtuar në stërvitje dhe me dëshirë për të përmirësuar edhe më shumë formën e tyre fizike.
Ndërkohë, krahas punës në fushën e gjelbër, përzgjedhësi Primozh Gliha dhe stafi i tij po vazhdojnë punën edhe në aspektin teorik. Ata po kryejnë videoanaliza të stërvitjeve të kaluara dhe lojës së fundit, si dhe po e analizojnë me kujdes kundërshtarin, duke përgatitur strategjitë e duhura për këtë ndeshje.
Para nisjes për në Bazel, Dardanët do të mbajnë edhe një stërvitje të enjten, teksa të premten në mëngjes do të udhëtojnë drejt Zvicrës, ku të shtunën i pret përballja e radhës në kuadër të Grupit I për kualifikimet "Euro 2024".