CNN shkruan për fishkëllimat e tifozëve kosovarë në lojën Kosovë – Izrael, UEFA hap procedurë
Foto: Laura Hasani

CNN shkruan për fishkëllimat e tifozëve kosovarë në lojën Kosovë – Izrael, UEFA hap procedurë

Sport November 14, 2023 - 17:07
Lajmet e fundit nga Sporti

Kombëtarja e Izraelit e zhvilloi të dielën ndeshjen e parë të futbollit që prej fillimit të luftës Izrael-Hamas, duke humbur 0:1 nga Kosova në ndeshjen kualifikuese të Euro 2024.

Gjatë intonimit të himnit nacional izraelit para lojës, disa tifozë vendës e fishkëllyen dhe e kontestuan himnin e Kombëtares mysafire, në bazë të disa videove që qarkulluan në rrjetet sociale.

UEFA, si trupë qeverisëse e futbollit evropian, i ka thënë CNN-it në një njoftim se “janë hapur procedurat disiplinore për ‘trazirat’ që ndodhën gjatë intonimit të himneve kombëtare”.

“Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinor i UEFA-s do të merret me këtë rast me kohë”, njofton tutje UEFA.

CNN e ka kontaktuar edhe Federatën Izraelite të Futbollit për ta komentuar këtë rast.

Ndeshja ishte paraparë të luhej më 15 tetor, por ishte shtyrë si rezultat i shpërthimit të luftës në tokën izraelite.

Milot Rashica e shënoi golin e fitores së Kosovës në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ky rezultat nënkupton se Kosova i ka 10 pikë në Grupin I, një më pak se Izraeli, i cili është i treti.

Dy Kombëtaret kryesuese për momentin janë Rumania dhe Zvicra, ndërsa dy vendet e para të grupit kualifikohen automatikisht në Kampionat Evropian, i cili do të mbahet vitin tjetër në Gjermani.

Kosova kishte mundësi të tjera për ta ngritur epërsinë e rezultatit, por nuk ia doli.

Izraelitët nga ana tjetër nuk e kishin krejtësisht mendjen tek futbolli, duke e pasur parasysh situatën nëpër të cilën po kalon shteti i tyre.

“Vendi ynë është më i rëndësishëm se futbolli. Ne nuk mund ta ndajmë luftën nga ne. Por, na duhet të luajmë futboll dhe duam ta përfaqësojmë vendin tonë sa më mirë të jetë e mundur”, deklaroi në konferencë për shtyp pas lojës selektori i Izraelit, Alon Hazan.

“Mundësitë për t’u kualifikuar në Euro 2024 ekzistojnë ende. Ne jemi duke shikuar kah ndeshja me Zvicrën, e cila do të jetë mjaft e vështirë. Dhe, ne do ta shohim edhe situatën dhe gjendjen fizike të disa lojtarëve tanë”, vazhdoi ai.

Ndeshja mes Izraelit dhe Zvicrës do të luhet të mërkurën në stadiumin “Pancho Aréna” në Hungari.