Sqarohet Komuna e Prishtinës: Mirëmbajtja e stadiumit është përgjegjësi e FFK-së
Të dielën u zhvillua ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit, por ajo që u komentua më shumë ishte gjendja e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë meqë për shkak të kushteve atmosferike u bë më e vështirë të zhvillohej ndeshja.
Disa akuzuan Komunën e Prishtinës për mirëmbajtjen e tij, por tashmë ky institucion u sqarua duke thënë se këto janë informacione të pasakta.
Komuna e Prishtinës thekson se mirëmbajtja e stadiumit “Fadil Vokrri” është obligim i Federatës së Futbollit të Kosovës.
“Kjo përgjegjësi është e rregulluar me nenin 3, paragrafi 1.3. të Memorandumit të Bashkëpunimit të lidhur ndërmjet Kryeqytetit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës me datën 30 dhjetor 2022”, thuhet në komunikatë.
Më tej thuhet se Komuna eshtë e vetëdijshme se stadiumi “Fadil Vokrri” është i mbingarkuar me lojëra ndërkombëtare të klubeve dhe të Kombëtares së Kosovës dhe rrjedhimisht është në gjendje jo të mirë, prandaj Kryeqyteti bashkë me Federatën e Futbollit të Kosovës është duke punuar tash e sa kohë në projektin për ndërtimin e stadiumit të ri të Kryeqytetit. /Zëri