Berisha: Treguam karakter, vetëm të bashkuar mund t’ia dalim
Foto: Laura Hasani

Berisha: Treguam karakter, vetëm të bashkuar mund t’ia dalim

Sport November 12, 2023 - 23:45
Lajmet e fundit nga Sporti

Kosova ka arritur të fitojë minimalisht ndaj Izraelit në kuadër të ciklit kualifikues të kampionatit evropian “Euro 2024”. 

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin ikonik “Fadil Vokrri” përfundoi me rezultat minimal 1-0.

Goli i fitores për dardanët e realizoi Milot Rashica në minutën e 42-të.

Bernard Berisha ka komentuar ndeshjen, kur theksoi se treguam karakter dhe vetëm të bashkuar mund t’ia dalim.

“Kemi kaluar momente të vështira. Por sot treguam karakter. Vetëm të bashkuar mund t’ia dalim. Klubin dhe presidentin e klubit dua ta falënderoj sepse për asnjë moment nuk më kanë nxjerrë problem të vijë, edhe pse kemi pasur ndeshje dje. Ata e dinë se çfarë ndjenje është ta përfaqësosh vendin tënd”, ka thënë fillimisht Berisha.

“Kam luajtur vetëm 2-3 herë në këtë pozicion. Kur është në pyetje Kosova, kur është në pyetje vendi yt, nuk përshkruhet emocioni. Në çdo pozitë që kërkohet unë jam i gatshëm të luajë. Dua t’i falënderoj edhe tifozët për mbështetjen në momentet e vështira. Duhet t’i lëmë kritikat sepse vetëm të bashkuar mund t’ia dalim. Duhet të mendojmë për të ardhmen. Ne gjithmonë jemi munduar ta bëjmë më të mirën, por ndonjëherë nuk ka shkuar. Vetëm me besim e punë të madhe mund t’ia dalim”, ka vazhduar Berisha.

“Në asnjë moment nuk i kam thënë jo Kosovës. Gjithmonë kam qenë i gatshëm ta jap më të mirën. Ndonjëherë nuk kam qenë në formën më të mirë, por angazhimi nuk ka munguar asnjëherë. Të luash në Bazel është si të luash në Kosovë sepse shumica janë shqiptarë dhe do të kemi përkrahje. Duhet të tregojmë karakter dhe të tregojmë se edhe ne mundemi. Këtë e kemi treguar në ‘Fadil Vokrri’ kur e morëm një pikë. Karakterin duhet ta shfaqim edhe në kualifikimet tjera dhe të tregojmë se mund të bëjmë lojëra të bukura. Por, duhet të jemi të bashkuar”, deklaroi Berisha.

Pas kësaj fitore, Kosova e sheh vetën në vendin e katërt me dhjetë pikë në grupin I, ndërsa Izraeli në një pozitë më lartë e me një pikë më shumë (11). /Zëri