Gliha lavdëron lojtarët e Kosovës që i aktivizoi ndaj Izraelit
Kosova ka arritur të fitojë minimalisht ndaj Izraelit në kuadër të ciklit kualifikues të kampionatit evropian “Euro 2024”.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin ikonik “Fadil Vokrri” përfundoi me rezultat minimal 1-0.
Goli i fitores për dardanët e realizoi Milot Rashica në minutën e 42-të.
Pas ndeshjes ka folur trajneri Primozh Gliha.
“Secila situatë në futboll është normale. Duhet të gjesh zgjidhje për të luajtur apo të qash. Unë nuk qaj asnjëherë. Sonte kishim shumë shanse, por fusha është kjo që është. Kur krijon shumë shanse është dëshmi që skuadra ka funksionuar mirë. Unë besoj në lojtarë që i kam aktivizuar. Kanë pasur paraqitje të mira. Kosova ka lojtarë për të ardhmen. Secila ndeshje është specifike. Kur Rashica e Muriqi luajnë së bashku jemi shumë të fortë. Shumë, shumë të fortë. Por prej se kam ardhur këtu kemi pasur vetëm nëntë stërvitje dhe i kemi luajtur katër ndeshje”, ka thënë Gliha.
Pas kësaj fitore, Kosova e sheh vetën në vendin e katërt me dhjetë pikë në grupin I, ndërsa Izraeli në një pozitë më lartë e me një pikë më shumë (11). /Zëri