Pjesa e dytë vendimtare, Trepça triumfon ndaj Istogut
Trepça ka shënuar fitore ndaj Istogut me rezultat 112:82 (23:23, 25:25, 37:14, 27:20), në javën e tetë të Prince Caffe Superligës, ku dallimi u bë në pjesën e dytë.
Në fakt pjesa e parë ishte tërësisht e barabartë, madje istogasit e nisën më mirë ndeshjen, sidoqoftë, mitrovicasit nuk lejuan shkëputjen e tyre dhe pjesa e parë përfundoi 48:48.
Megjithatë, vendasit u mobilizuan në periudhën e tretë, ku ishin bindshëm më të mirë, si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje, duke e fituar këtë pjesë 37:14, ndërsa në dhjetë minutat e fundit vetëm sa shtuan epërsinë dhe triumfuan 112:82.
Te vendasit u dalluan Drilon Hajrizi me 34 pikë, gjashtë kërcime e katër asistime dhe debutuesi Darnell Edge me 22 pikë, shtatë kërcime e dhjetë asistime, kurse te mysafirët më i miri ishte Arian Azemi me 25 pikë, pesë kërcime e nëntë asistime.
Trepça numëron gjashtë fitore e dy humbje, duke u renditur e dyta, kurse Istogu me një fitore e shtatë humbje është në vendin e fundit në tabelë. /Zëri